PSD ia dorëzon ministrit Vitia “vaksinën e dorëheqjes”

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) përmes një aksioni simbolik kanë kërkuar sot dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ata para objektit të ministrisë kanë vendosur simbolikisht një shiringë, ku shkruhej “dorëheqje”, duke bërë thirrje që udhëheqësi  i këtij dikasteri të tërhiqet pasi nuk po arrin të blejë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Nol Nushi tha se zotimin e qeverisë për imunizim të 60 për qind të popullatës deri në fund të këtij viti e sheh si një zotim që nuk mund të realizohet.

“Qeveria Kurti nuk ka blerë ende asnjë vaksinë. Të gjitha këto vaksina që janë të pakta, janë rezultat jo i punës së qeverisë, por i vullnetit të mirë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që na i sjellin. Sot ne si aktivistë të PSD i kemi sjellë ministrit Vitia dozën e parë të vaksinës së dorëheqjes, të cilën duhet ta merr sa më parë dhe t’i pres efektet, në mënyrë që të reflektojë të jep dorëheqje, pasi që aktiviteti dhe puna e tij në ministri është e barabartë me zero në luftimin e pandemisë. Qeveria Kurti ka thënë se deri në fund të vitit do të vaksinojë 60 për qind  e qytetarëve, por jemi dëshmitar se tempoja e vaksinimit është tmerrësisht e ulët dhe nuk ka shanse as matematike që kjo të kryhet deri në fund të vitit. Unë isha vetë sot te qendra e vaksinimit. Ishte një kaos total. Atje prisnin njerëz që nuk e dinin se a do të vaksinohen apo jo, edhe ishte një keqmenaxhim i tërë këtij procesi”, tha ai.


Nushi ka kritikuar edhe krerët e institucioneve të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti për iftarin që shtruan dje për Bashkësinë Islame të Kosovës, duke shkelur masat antiCOVID-19, pasi në një tavolinë ishin të ulur 11 persona.

Anëtari i kryesisë së PSD-së ndërkaq ka paralajmëruar edhe një peticion për anulimin e gjobave për qytetarët e dënuar për shkak të shkeljes së masave antiCOVID.

“Masat e çuditshme ndaj pandemisë ende po vazhdojnë. Ende kemi orë policore  që nuk po ia dimë as efektin, ndërsa mbrëmë pamë se si presidentja bashkë me kryeparlamentarin dhe Kurtin shtruan një iftar për Bashkësinë Islame ku shkelën  pikërisht masat që ata vetë i kanë vendosur. 11 persona ishin të ulur në tavolinë, ku për kësi lloj shkeljesh dhe shkelje të tjera janë rreth mbi 200 mijë gjoba në vlerë mbi 10 milionë euro. Ne si PSD jemi në punët e fundit që të fillojmë edhe nismën për ndryshim legjislativ përmes peticionit qytetar dhe ditëve në vazhdim do të sigurohemi t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme në mënyrë që këto dënime të padrejta të falen dhe të anulohen”, tha Nushi.

Nol Nushi nga PSD e përmendi edhe kontratën me kompaninë prodhuese të vaksinës Pfizer, për të cilën tha se ende nuk dihet se çka ka ndodhur me të.

Kosova sot ka pranuar mbi 38 mijë doza të vaksinës antiCOVID nga aleanca COVAX, ndërsa ka nisur edhe vaksinimin e grup-moshave mbi 65-vjeç.

Lexo edhe

Video