PSD dorëzon peticionin për faljen e gjobave, pret përkrahjen e VV-së

PSD dorëzon peticionin për faljen e gjobave, pret përkrahjen e VV-së

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin për faljen e gjobave gjatë pandemisë.

Kjo parti për 20 ditë ka mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime për inicimin e projektligjit dhe u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për përkrahje, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet. 

Anëtari i kësaj partie, Nol Nushi në konferencë për media ka thënë se sot në mënyrë zyrtare po e dorëzojmë peticionin e mbledhjes së nënshkrimeve për të bërë nismën legjislative.

“Gjatë 20 ditëve të fundit kemi mbledhur nënshkrimet në çdo qytet të Kosovës, përveç në disa qyteza të vogla. Kemi dashur t’iu japim mundësinë secilit qytetar të  Kosovës që ta nënshkruajë, dhe për një kohë relativisht të shkurtër i kemi mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime, të cilat sot i kemi vendosur në këta gjashtë folderë dhe po i dorëzojmë zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Nushi.


Ai ka thënë se një shtysë e madhe për këtë nismë ka qenë edhe fushata e partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku ato nuk kanë respektuar masat antiCOVID.

“Rreth 200 mijë dënime janë shpërndarë në Kosovë. Më shumë se 10 për qind e popullsisë rezidente në Kosovë është dënuar. Ndërkohë nuk kemi vaksina, niveli i vaksinimit në Kosovë është nën 5 për qind. Nuk kemi ndihma ekonomike dhe qytetarëve çfarë po ju ofrohet është humbja e vendeve të punës, rrezikim nga COVID në mungesë të vaksinave”, ka thënë ai.

Po ashtu, Nushi ka bërë të ditur që bashkangjitur do të dorëzohet edhe projektligji, për çka pret edhe që në mënyrë urgjente të hyjë në rendin e ditës së Kuvendit të Kosovës.

“Kryeministri është i thirrur, qeveria është e thirrur që të shqyrtojë të gjitha problemet e qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm ato që i konsideron ajo se janë probleme. Unë besoj që nga ata shumë deputetë që ka Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë një që megjithatë ka ngelur racional dhe nuk e qet inatin politik përpara interesit qytetar”, ka thënë ai.

Nushi u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë këtë projektligj, meqë sipas tij janë përgjegjës për rritjen e numrave të rasteve me COVID-19 gjatë fushatës parazgjedhore.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: