PSD dorëzon kallëzim penal ndaj kryeministrit, Molliqaj: Synimi i Kurtit që të përbaltë veteranin

Partia Socialdemokrate (PSD) ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për rastin e deklarimit të tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë kallëzim penal sipas PSD-së janë dorëzuar fakte dhe prova për të nisur hetimet ndaj të parit të Qeverisë dhe se i njëjtit të dalë para drejtësisë për statusin e veteranit.

Kryetari i PSD-së, Daradan Molliqaj po thotë se Kurti është veteranë i rrejshëm dhe se synimi i tij nuk është t’i luftojë e veteranët e rremë por që të përbaltë veteranin e vërtetë.  

“Kryeministri i Republikës së Kosovës tashmë është i qartë se ka një synim, jo t’i luftojë veteranët e rrejshëm sepse i rremë është vetë dhe ne do ta mbështesnim për të pastruar lista. Por kryeministri kishte një synim ta përbaltos veteranin e vërtetë, ta rritë presion publikë ndaj veteranëve në përgjithësi në mënyrë që ta ndërroj një nen të ligjit për veteranët e UÇK, ai nen ka të bëjë që e lidh drejtpërdrejt me pagën minimale me kompensimin që i bëhet veteranëve. Kryeministri nuk e ka plan me i pastru listat e as me i hjek veteranët e rrejshëm sepse i tillë është vet. Por e ka plan me e shkëput lidhjen ligjore që është mes pagës minimale dhe pagës ose kompensimit për veteranë. Në vend të bëjë një diskutim të hapur e publik për këtë çështje ai zgjedhi që ta përbaltosë edhe njëherë veteranin. Ne e kemi thënë se kur i sulmon të gjithë e sulmon të vërtetën. Ne besojmë që prokuroria tashmë i ka të gjithë shkresat e nevojshme që të nisin hetimet menjëherë dhe kryeministri i Kosovës të del para drejtësisë”, tha Molliqaj.

Molliqaj thotë se Kurti ka qenë në UÇK por nuk ka qenë luftëtarë.


“Albin Kurti ka qenë në UÇK ka qenë edhe pjesëtarë por me një detyrë tjetër. Por nuk ka qenë luftëtarë. Ne jemi duke e sulmuar atë që ai po i sulmon të tjerët. Të gjitha materialet ekzistojnë, kur është kyç, kur ka dhënë dorëheqje nga UÇK dhe kur është arrestuar dhe ligjet që e përcaktojnë çka është deklarim i rrejshëm dhe cilat janë kriteret për tu plotësuar për të qenë veteranë luftëtarë”, tha Molliqaj.

I pari i PSD-së tha edhe se qasja e Qeverisë Kurti 2 është anti UÇK.

“Qasja e Qeverisë Kurti, sidomos e Qeverisë Kurti 2 ka qenë  qasje anti UÇK. Kur them anti UÇK nuk them se nuk e don UÇK por ka pas një tendencë të vazhdueshme të tij për me rishpjegu këtë, me ridizjanu dhe me ripërcaktu kush janë udhëheqësit dhe ata që kanë sakrifikuar, kush janë luftëtarë, kush janë veteranët në kuadër të perspektivës së tij  për historinë dhe për luftën dhe tani ai sa herë që e sulmon kategoritë e luftës ja ku i ka projektet që nuk përputhen me vullnetin e tyre ose me interesin e shpjegimit të tij historik ja kur i paraqet si barrë”, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë në një intervistë në RTK ka folur për veteranët e luftës në Kosovë ku ka thënë se nuk ka teori se janë mbi 20 mijë veteranë të luftës.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë. Unë e di që njerëzit kanë nevojë për para, por një numër i madh i veteranëve kanë nevojë për vend pune, sepse janë të rinj”, ka deklaruar Kurti.

Lexo edhe

Video