Protestuesit: Të ndalen tenderët e KEK-ut për bosët e kompanive private

Protestuesit: Të ndalen tenderët e KEK-ut për bosët e kompanive private

Rreth 150 punëtorë të KEK-ut sot kanë protestuar në sheshet e Prishtinës dhe para Qeverisë së Kosovës për ri-kthimin e Departamentit të Sigurisë Fizike në KEK.  Ata kanë kërkuar që të ndalen tenderët e KEK-ut, siç theksuan ata për bosët e kompanive private.

Nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica duke kërkuar kthimin e këtij Departamenti, tha se menaxhmenti i KEK-ut padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme kishte privatizuar dhe pasivizuar departamentin.

“Kur kjo qeveri që është tani ka qenë në opozitë, na kishte thënë që keni të drejtë në mënyrë ligjore, ashtu siç e kemi ditur edhe vetë. Sepse, ky departament është privatizuar në mënyrë të paligjshme, megjithëse nuk është privatizuar, është pasivizuar. Arsyeja është e thjeshtë, sepse në atë kohë është huazuar për tri vjet. Pas këtyre tri vjetëve, këta punëtorë është dashur të kthehen me KEK-un. Mirëpo, padrejtësisht janë tenderuar, janë shitur për arsye të grupeve të interesit në menaxhmentin e KEK-ut të kapur nga politika… Prandaj, sot i bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit të marrin masa për këtë departament që padrejtësisht në atë kohë janë privatizuar dhe tenderuar në vazhdimësi”, tha ai.

Ndërsa, Haki Azemi kryetar i sindikatës “Mbrojtja dhe siguria”, tha se “bosët” e kompanive private që kanë lidhje me grupe të interesit dhe kriminale nuk duhet të vazhdojnë më të marrin tender në KEK.


“Lusim kryeministrin që përmes organeve të veta të reagoi në KEK, sepse ua bëj me dije nga këtu, asnjë tender, asnjë kompani private në këtë shërbim të sigurimit më nuk ka vend… Sepse uniformë e kompanisë private në KEK më nuk vishet. Kërkojmë nga qeveria dhe kryeministri që në një afat sa më të shkurtër e të mundshëm të na bëjë zgjidhje ligjore për një të drejtë që na është marrë pa të drejtë në vitin 2004 nga grupe të ndryshme të interesit të asaj kohe, prandaj ka ardhur koha t’iu themi stop”, tha Azemi.

Rashit Gashi, ish-punëtor i KEDS-it, theksoi se shumë procese të dhimbshme kanë ndodhur në KEK e në kurriz të punëtorëve.

“Proceset, të cilat kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë qenë procese të padrejta dhe dhimbshme gjithnjë në kurriz të punëtorëve. Njësitë dhe shoqatat brenda KEK-ut u tjetërsuan, u falën, u degraduan, falimentuan apo edhe u huazuan si në rastin konkret të sigurimit. Të gjithë këto pasoja i kemi pasur ne si punëtorë. Edhe unë si një ish-punëtor i distribucionit të cilët na ndanë nga KEK, pësuam shumë nga ky proces”, tha Gashi.

Ndërkaq, masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, nuk i respektuan disa protestues e as udhëheqës të sindikatës, të cilët nuk kishin vendosur maskë.

Lexo edhe

Video