Me pankarta "Ministre reflekto, fillo dialogun", “Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive”, “Duam rritje dinjitoze të pagave”, “Mos na mohoni kontributin e viteve ‘90”, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), kanë protestuar të mërkurën në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë.
Me kërkesat për rritje të pagave e nënshkrim të kontratës kolektive, qindra punëtorë të arsimit kërkuan zbatimin e tyre.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ‘kanë vazhduar me qasje të gabuar dhe me qëndrimin deri armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave’.
Ndërsa, Jasharaj tha po ashtu se kryeministri Kurti ka dështuar të përmbush premtimet e tij i cili ka bërë para se të vinte në pushtet lidhur me zërin e sindikatave, siç tha ai, ‘Kurti e ka bërë të kundërte, nuk ka dëgjuar zërin e sindikatave’.
Protesta ka filluar para Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, ndërsa ka vazhduar drejt Ministrisë së Arsimit në të cilën kërkuan takim me ministren Nagavci e që nuk u realizua dhe në fund protestuan para qeverisë.
Në këtë protestë morën pjesë kryetarët e shoqatave sindikale nga çerdhet, shkollat dhe universitetet.