Qytetarët e rajonit të Prishtinës së shpejti mund të paguajnë faturat e mbeturinave me çmim të rritur. Aktualisht, faturimi për largimin e mbeturinave është tarifë fikse prej 4.7 eurosh. Nga Kompania Rajonale e Mbeturianve “Pastrimi” thonë se janë rritur ndjeshëm kostot e operimit prandaj shtrenjtimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm. Po ashtu, thonë se mund të rishikohen edhe pagat e punëtorëve. Kundër këtij propozimi janë qytetarët, të cilët thonë se jeta e tyre është vështirësuar tej mase.
Zëdhënësja e “Pastrimit”, Arbnore Ademi deklaron për KosovaPress se janë kompani me vetëfinancim prandaj i duhet që të rrisin çmimet për të përballuar shpenzimet.
Vendimi për rritjen e çmimit të faturës së mbeturinave duhet të marrë miratimin e Kuvendeve Komunale të komunave të rajonit të Prishtinës, të cilat i mbulon “Pastrimi”.
Mirëpo, Ademi tha se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare, megjithëse shton se propozimi është që të bëhet një rritje simbolike, pa e specifikuar atë.
Mirëpo, qytetarët janë kundër rritjes së çmimit të faturës së mbeturinave.
Ismet Hulaj, një prej tyre, tha se me rritjen e çmimeve po rëndohet jeta e tyre.
Edhe Vesel Veseli tha se nuk mund të ketë rritje të faturave pa pasur rritje të të ardhurave.
“Ky vendim është i rëndë për shumicën e familjeve tona, duke ia ditur buxhetin familjarëve. Që të mundemi t’i përballojmë këto duhet të ngrihen të ardhurat përsonale të atyreve që punojnë dhe pensionet e atyre që janë në pension dhe ndihmat sociale për të mundur popullata t’i përballojë këtyre shtrejtimeve... Është i papërballueshëm për shumicën e familjeve tona. E dimë se cfarë gjendje sociale janë...Pa i krijuar kushtet, t’i ngritin bazat personale, pensionet, ndihmat sociale, t’jua përmirësojnë buxhetin familjeve, dhe t’i ngarkojnë kjo më duket e tepërt”, tha Veseli.
“Mjaftë janë rritur, dhe sa dëshirojnë të rriten... Unë po e shoh shumë keq sepse faturat po rriten e të ardhurat nuk po rriten fare, sidomos është keq për pensionerët... Shumë e papërballueshme është dhe shumë keq. Rritu rryma, rritu mbeturinat, uji, tatimi, katastrofë... Fajet, kush mundet t’i ketë përvec qeverisë. Unë dhe ti nuk i kemi fajet por qeveria”, theksoi Sadiku./D.L