Propaganda serbo-ruse, analistët flasin mbi strategjinë që duhet ta ndjekë Kosova kundër tyre
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Vendimi për ndalimin e dinarit u shfrytëzua për propagandë nga Serbia dhe Rusia në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke dezinformuar opinionin botëror kinse në Kosovë ka diskriminim.

Madje ata shkuan aq larg sa përfaqësuesi rus në Nju Jork përmendi edhe “krimet kundër njerëzimit” kur dihet se është Rusia ajo që po kryen luftë pushtuese në Ukrainë. Për këto, analistët thonë se propaganda ruse dhe serbe janë të koordinuara dhe veprojnë pandalshëm, duke e paraqitur Kosovën kinse vatër krize dhe shtet jo funksional.

Edhe pretendimet e Serbisë dhe Rusisë për t’ia hedhur fajin Kosovës për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit po vlerësohen të jenë metoda të ngjashme propagandistike që janë përdorur nga Moska dhe Beogradi më herët kundër ndërhyrjes së NATO-s ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviq.

Në një prononcim për KosovaPress, eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se pavarësisht tentimeve ruso-serbe që në Këshillin e Sigurimit ta paraqesin Kosovën si shtet paqëndrueshëm, kryeministri Albin Kurti arriti t’i demantojë ato.

Ai shton se përfaqësuesit e tjerë në Këshillin e Sigurimit, e sidomos partnerët strategjikë të vendeve që e kanë njohur Kosovën ishin konstruktivë sa i përket vendimit për ndalimin e dinarit.     

Ibishi potencoi se Kosova duhet të jetë më proaktive dhe t’i shfrytëzojë partnerët strategjikë për të treguar të vërtetën dhe për të zvogëluar mundësinë e përhapjes së propagandës serbo-ruse përmes mediave online apo formave tjera.

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit se kinse shqiptarët kanë dashur ta marrin me dhunë Manastirin e Banjskës më 24 shtator gjatë përballjes me terroristët serbë, profesori universitar, Alban Zeneli, thotë se Serbia njëjtë ka vepruar edhe ndaj ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

Zeneli tha për KosovaPress se Serbia po e përdorë propagandën e saj në veçanti për serbët e Kosovës jo vetëm në politikë, por edhe në fushat e tjera përfshirë ekonominë dhe aktualitetin ditor.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës të sqarojë se vendimi për vendosjen e euros si valutë e vetme për pagesa nga 1 shkurti nuk ka të bëjë me serbët lokalë dhe as heqjen e dinarit sikurse po propagandohet nga Serbia.

Ndër të tjera, profesori universitar, Alban Zeneli thotë se strategjia që duhet ndjekur Kosova kundër propagandës së Serbisë është gjetja e rrugëve të duhura të komunikimit me komunitetin serb.

Sipas një hulumtimi nga Instituti për Studimin e Kërcënimeve Hibride “Octopus”, propagandat nga mediat ruse dhe serbe në Kosovë synojnë dëmtimin e imazhit të Kosovës si shtet, mos lejimin e integrimit institucional të serbëve, diskreditimin e zyrtarëve shtetërorë dhe mbajtjen e vazhdueshme të tensionit ndëretnik.

Në këtë hulumtim thuhet se mediumet si “Kosovo Online”, “Sputnik” dhe “RT”,  ndikojnë më së shumti në përçarjen e komunitetit serb dhe shqiptar apo edhe në sulmin ndaj institucioneve qendrore./Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024