Promovohet dokumentari “Okarina e Runikut” në njëvjetorin e vdekjes së Shaqir Hotit

Me rastin e shënimit të njëvjetorit të vdekjes së kantautorit dhe instrumentistit Shaqir Hoti, sot është promovuar dokumentari “Okraina e Runikut”.

Këshilltari i ministrit të Kulturës, Liburn Jupolli, tha se Shaqir Hoti ishte një nga figurat më të mëdha të trashëgimisë muzikore-folklorike, duke kompozuar më shumë se 180 këngë.

“Sot jemi një vit që prej se e humbëm një prej figurave më të mëdha të trashëgimisë tonë muzikore-folklorike… Njërin prej personaliteteve që përfaqësonte çdo element të muzikës tonë, që prej punës së tij me instrumente frymore-folklorike, që prej punës së tij si një prej pionierëve të flautit si njëri prej flautistëve të parë në Kosovë. Me punë shumë të zellshëm mbi 180 këngë të kompozuara… Shaqir Hoti ishte njëra prej figurave që arriti ta ngërthente çdo element të folklorit tonë dhe ta jetësonte edhe në kohërat moderne”, tha Jupolli.


Ndërsa, profesori Valton Beqiri tha se gjatë viteve 2019-2020 kanë mbajtur organizime në shkollat e Kosovës, ku nxënësve u është treguar historia e instrumentit të okarinës.

“Instrumenti muzikor “Okarina” përveç vlerave arkeologjike, historike është i lidhur ngushte me jetën dhe veprën e instrumentistit tonë Shaqir Hoti. Ai njihet jo vetëm si instrumentist dhe krijues, por edhe si personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore, përmes ndërtimit apo rindërtimit të instrumenteve frymore… Pa dyshim se njëri nga instrumentet që ai ka studiuar dhe ka punuar me pasion të veçantë është edhe Okarina. Dëshira e tij e madhe ishte që këto njohuri t’i përcjellë jo vetëm kolegëve dhe studiuesve, por në veçanti gjeneratave të reja… Për këtë arsye në periudhën shtator 2019/20, kemi organizuar nëpër disa shkolla të Kosovës punëtorinë me bacën Shaq, ku ai ka shpjeguar historinë  e instrumentit, tingujt e instrumentit dhe bashkë me këta fëmije ka punuar prej argjilës në murin e madh të okarinave… Që nga kjo periudhe datojnë edhe xhirimet në këtë dokumentar”, tha ai.

Ndryshe, instrumente frymore të punuara ndër vite nga Hoti janë vlerësuar si diçka unike dhe e rrallë.

Lexo edhe

Video