Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar këtë javë një takim me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe USAID-it, me të cilët ka diskutuar për koordinim në promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat.
Para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Në këtë takim, e para e vendit tonë foli edhe kontributin e SHBA-së në fuqizimin ekonomik dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.