Prokuroria thotë se provat vërtetojnë se Mustafa mori pjesë në keqtrajtimin e njerëzve në Zllash

Seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë po vazhdon me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Silvia D’Ascoli ka thënë se provat që janë paraqitur në këtë proces vërtetojnë se Salih Mustafa është përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet në katër pikat e aktakuzës.

Para trupit gjykues, ajo ka thënë se në këtë proces janë paraqitur viktima dhe dëshmitarë të cilët sipas saj në mënyrë bindëse kanë treguar se nga 1 prilli deri më 19 prill 1999 janë dërguar në Zllash dhe janë mbajtur në një kompleks ndalimi.

“Provat vërtetojnë se ai vet mori pjesë në keqtrajtim dhe mbikëqyri atë në këtë kompleks. Dy dëshmitarë 1679 dhe 3593 e përmenden me emër të akuzuarin si person që merrte pjesë drejtpërdrejtë në pyetjet dhe rrahjet e tyre. Të kujtojmë së pari provat në dëshminë e dëshmitarit 1679, ky dëshmitar pasi u dërgua në këtë kompleks nga ushtarët e BIA-s u mor në pyetje nga komandant Cali, pra i akuzuari Salih Mustafa. Komandant Cali e akuzoi se ishte gënjeshtar, i bërtiti, e mallkoi dhe e qëlloi dhe e rrahu para se ta linte në duart e ushtarëve që e rrahën derisa ai humbi vetëdijen… I akuzuari mori pjesë gjithashtu në rrahjen dhe keqtrajtimin e dëshmitarit 3593, kjo ndodhi pak pasi dëshmitari u dërgua në këtë kompleks, në një stallë. Pak kohë pas kësaj, tre katër vetë e tërhoqën nga stalla e quan në një vend tjetër dhe e rrahën egërsisht”, ka thënë prokurorja.

Sipas prokurores, historitë e dëshmitarëve vërtetonin njëra tjetrën.

Gjatë paraqitjes së deklaratës përmbyllëse, prokurorja ka paraqitur disa fotografi të shtëpive në Zllash të cilat ishin të hapura edhe për publikun.


Seanca po vazhdon me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa në këtë proces gjyqësor, i cili është drejt fundit, janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilit rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar./G.Kadrija

Lexo edhe

Video