Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e sotme në Prishtinë, ku një 70 vjeçar ka vrarë gruan e tij. Prokuroria ka bërë të ditur se është ndaluar burri 70 vjeçari.
Sipas Prokurorisë, I.G. (1952) ka vrarë gruan e tij me mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së. Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë.”, ka informuar Prokuroria.
Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante, siç është njoftuar, kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti.”, është bërë e ditur tutje nga Prokuroria.