Projektligji për tërheqjen nga trusti, pozita dhe opozita ende me qëndrime të ndryshme

Projektligji për tërheqjen nga trusti, pozita dhe opozita ende me qëndrime të ndryshme

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, si inicues i ndryshimit të Ligjit për Fondin Pensional që parasheh tërheqjen edhe të një përqindje të mjeteve nga Trusti, ka prezantuar të mërkurën projektligjin në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Në këtë Komision, deputeti Haxhiu ka kërkuar që t’u mundësohet qytetarëve kontributpagues  të tërheqin mjetet e tyre prej 10 deri 30 përqind  nga Trusti për të tejkaluar siç tha ai krizën ekonomike të shkaktuar fillimisht nga pandemia dhe tani nga inflacioni.

“Kjo kërkesë është e qytetarëve në këtë kohë krize. Prandaj kërkoj nga pozita dhe opozita ta votojnë këtë projektligj”, tha ai.

Tërheqja e një përqindje të caktuar nga Trusti, është bërë debat publik dhe kërkesë e opozitës e cila po kundërshtohet nga partia në pushtet.

Nesër është paralajmëruar protestë nga një grup qytetqrët që po kërkojnë t’u mundësohet kjo tërheqje.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka thënë se e mbështesin plotësisht projektligjin që mundëson tërheqjen e një shume të caktuar nga Trusti.


Në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku po shqyrtohet ndryshimi i ligjit për Fondin Pensional, Hoti pati kritika për qeverinë Kurti, që siç tha ai nuk po kompenson qytetarët në këtë kohë krize.

Deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka ftuar pozitën t’i lë inatet anash dhe ta mbështes tërheqjen e mjeteve nga Trusti në këtë krizë financiare.

“Ju duhet ta tejkaloni inatin politik dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro për tërheqjen e Trustit”, tha ai.

Deputetja Duda Bale ka thënë se do të abstenon sa i përket Trustit.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, tha se nuk po e kundërshtojnë këtë Projektligj për çështje inatesh, por Trusti është obligim nuk është opsion.

“Nuk mbaj mend që diku në botë kur ka pasur krizë janë drejtuar për t’i prekur kursimet pensionale”, tha Muja.

Muja ka lexuar edhe një opinion të Qeverisë që kundërshton idenë e tërheqjes së Trustit.

Lexo edhe

Video