Projektligji për pensionim të parakohshëm në Policinë e Kosovës procedohet në seancë

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes e ka proceduar për në seancë projektligjin për pensionet e zyrtarëve policor, iniciativë kjo e deputetëve të Pastrisë Demokratike të Kosovës. Për këtë nismë, përveç Fatmir Humollit, nuk kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë deklaruar se do të presin që një projektligj i tillë të sillet në Kuvend nga Qeveria e Kosovës.

Aty u tha se kjo nismë legjislative është dërguar në Qeverinë e Kosovës dhe kjo e fundit nuk ka dërguar mendim përbrenda afatit prej 30 ditësh.

Deputetja Ganimete Musliu derisa e ka prezantuar Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, ka thënë një ligj i tillë do të ndihmonte policinë e Kosovës të rigjenerojë kuadro të reja të policëve dhe  pension të dinjitetshëm.

“Përmes këtij projektligji do të rregullohen dhe përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e inspektoratit policor ë Kosovës me autorizime policore dhe familjet e tyre. Në këtë projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve dhe atë si pensionim i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar. Duke pasur parasysh që sot fatkeqësisht çdo i dyti policor është i detyruar të punojë edhe punë sekondare për të mbajtur familjen duke pasur parasysh shkallen e invaliditetit dhe gjithashtu vjetërsimit në moshë të policisë së Kosovës, sepse si institucion ne mund te themi që është e ri por fatkeqësisht ne po rrezikojmë të jemi policia më e vjetër në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Musliu.

Por nënkryetari i komisionit Enver Dugolli nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se kjo nismë është jo serioze dhe si të tillë nuk do ta votojnë.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga opozita që të votojnë për marrëveshjen ndërkombëtare për reformimin e skemave sociale dhe pensionale çka sipas tij do të hapte rrugën që qeveria të fillojë nismën për të gjitha skemat pensionale.

“Deputetët nga PDK por edhe nga LDK, opozita në përgjithësi ,e kanë pasur shansin që sa e sa vite ta bëjnë këtë ligj për Policinë e Kosovës, nuk e kanë bërë prandaj tash është radha jonë dhe ju kisha lutë ta shihni në këtë mënyrë sepse nuk është shaka apo nuk është lojë ligji për pension të parakohshëm për Policinë E Kosovës… Ju kisha lut që nisma të tilla të jenë serioze dhe të kenë  vëmendjen e shtuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, ne asnjëherë nuk e kemi thënë që nuk do ta bëjmë, do ta bëjmë por do ta bëjmë në mënyrë të duhur, të kalkuluar dhe të zbatueshme prandaj ne nuk do të marrim pjesë në votim të kësaj nisme legjislative për shkak se e konsiderojmë që është jo serioze”, ka thënë Dugolli.

Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.


“Fillimisht jemi deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe nuk besoj që kemi ardhur askush këtu për të bërë lojëra, por nganjëherë kolegu Enver nuk e di as çka flet, ja fut kot… E kemi marrë një iniciativë ligjore për një institucion shumë të rëndësishëm të këtij vendi, me qëllimin që ky institucion të përtërihet duke dërguar ish kolegët e mijë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që janë në moshë në pension të parakohshëm me synimin që të kemi një polici më të re, më efektive, që të jetë e gatshme të jap shërbime më të mira dhe po ashtu pjesëtarë e Policisë së Kosovës që kanë probleme shëndetësore serioze ta ua mundësojmë pensionin e merituar”, ka thënë Qalaj.

E nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ishte Famtir Humolli ai që votoi për këtë nismë.

“Po e kam përshtypjen që ne më shumë po e shohim partinë sesa që po i shohim problemet reale të cilat ndodhin në vendin tonë. Ne duhet me i pa problemet, ne jemi deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të qytetarëve, jemi në kuadër të partive politike, në momentin kur mendojmë me kokë të dikujt tjetër, nuk jemi deputetë, ne duhet me mendu me kokën tonë, uroj që ky komision të jetë në funksion të detyrës që ka marrë”, ka thënë Humolli.

Në mbështetje të projektligjit është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi por ka shtuar se do të presin që atë ta sjell Qeveria e Kosovës.

“Ne jemi për këtë ligj por presim që këtë ligjin të na sjell qeveria, nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Këtë temë e kemi diskutuar edhe në qarqe të tjera të ndryshme por fillimisht duhet të rregullohet ligji për paga dhe ligji për shërbyes civilë. Në momentin që rregullohen këto dy ligje gjithsesi do të jetë edhe Ligji për pensionimin e parakohshëm të policisë. Ne mund të bëjmë ndryshime dhe mund ta votojmë këtu edhe këtë ligj por kur të vjen nga qeveria mund të vjen me një tabelë që mund të realizohet”, ka thënë Selimi.

Deputetët nga opozita deklaruan se janë të gatshëm të ndërpresin këtë nismë ligjore nëse qeveria deklaron se do ta sjell një projektligj të tillë në një afat të konsiderueshëm kohor.

“Në momentin që autoritetet e qeverisë më sigurojnë që munden me prodhu një projektligj që për një presje është më i mirë se ky i tanishmi ju e keni përkrahjen time, edhe nëse jemi në procedurë, edhe nëse jemi duke e përmbyll, në momentin që dalin me diçka a më të mirë do të keni përkrahjen time”, ka thënë Quni.

Projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore ka marrë katër vota për nga deputetët e opozitës, një nga pushteti derisa të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Besoj kjo çështje është folur shumë, është emergjente, është në të mirë të policisë, inspektoratit, e kam parë si ligj ,do të jap kontributin tim edhe si kryetar i komisionit edhe si deputet që kjo çështje të avancojë dhe të kalojë ashtu siç duhet”, ka thënë kryetari i komisionit Bekë Berisha.

Lexo edhe

Video