Projektligji për pagat, presidenti koeficientin më të lartë, policët e doganierët me pagat më të ulëta
Lexohet për: 3 min.
1. Qytetaret vera 2022 (21 of 21) (2)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Projektligji i shumëpërfolur për paga sot ka dalë në konsultim publik dhe janë publikuar koeficientet për paga në sektorin publik, por jo edhe vlera e një koeficienti.

Në nenin 9 të këtij projektligji thuhet se vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit dhe bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike.

Vlera më e lartë e pagës është caktuar paga e Presidentit të Kosovës, klasa A1, koeficienti 18, i pasuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5, dhe kryetari i Kuvendit së bashku me kryeministrin do të kenë pagë të njëjtë me koeficiente 17.

Pagë të njëjtë do të kenë deputetët dhe ministrat me koeficient 16.4.

Ndërsa, paga më të ulëta me këtë projektligj do të kenë kadetët doganor, policor dhe të FSK-së me koeficient numër 2.

Sipas këtij projektligji, qëllim kryesor është ta përcaktojë dhe rregullojë sistemin e pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i shtetit.

Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

“Projektligji për Pagat (tash e tutje referuar si “Projektligji”) ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës”, thuhet në projektligjin për pagat në sektorin publik.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla sot u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të shohin dokumentin dhe të japin komentet e sugjerimet brenda tri javëve në vazhdim.

“Për 3 javë nga sot, të gjithë do të keni mundësinë të adresoni çdo koment apo sugjerim lidhur me këto dy projekt-ligje apo pjesë të caktuara të tyre. Si Ministri e mirëpresim kontributin e të gjitha palëve të interesit, në mënyrë që këto dy projekt-ligje të ofrojnë më të mirën e mundshme”, shkroi Sveçla.

Raporti i koeficienteve është 1 me 18, i shpërndarë në 111 nivele. Projektligji parasheh rritje të bazës së pagës në bazë të përvojës së punës, në masën 0.5 për qind çdo vit të plotë pune.

Për tri javë do të ketë në diskutim publik edhe Projektligji për zyrtarët publikë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024