Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit synon t’i mbroj të drejtat e tyre
Biznes
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të konsumatorit synohet të mbrohen të drejtat e konsumatorit, duke ofruar nivel të dëshirueshëm të produkteve dhe siguri të tyre.

Kështu u tha në debatin publik që Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur për këtë projektligj.

Anëtari i këtij Komisioni, Driton Hyseni u shpreh se përmes këtij diskutimi publik u ofrohet mundësi që të gjitha palët të japin komentet e tyre që do të futen pastaj si amendamentet. 

“Ligji i ri që do të miratohet i adreson në mënyrën adekuate me qëllim që interesi i konsumatorit  të jetë në nivel të dëshirueshëm të jetë aty ku e ka vendin, sepse ne mendojmë që e kemi për obligim edhe si deputet, por edhe ju zyrtar dhe organizata që të japim kontributin maksimal që konsumatori t’i mbrohet e drejta e tij dhe do të bëjmë maksimumin që konsumatorët të jenë të kënaqur me atë që ligji i cili do të miratohet në Kuvendin e Kosovës do të prodhoj terren. Pra, një nivel të dëshirueshëm të produkteve, një siguri të produkteve që u prodhohen në vend, por edhe një nivel të shërbimeve konform kontratave që ata nënshkruajnë qoftë me autoritetet publike apo ndërmarrjet private”, theksoi ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ngrit si çështje tregtimet online që po bëhen dhe përfshirjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në hartimin e plotësim-ndryshimit të këtij projektligji me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale.

Po ashtu, ajo u interesua të di edhe për përfshirjen e Këshillit të Pavarur të Medieve në hartim të këtij projektligji.

Njazi Shala nga Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit u shpreh se në grup punues kanë qenë, por substanca e këtij plotësim ndryshimi nuk ndërlidhet me këtë çështje.

Shala tha se plotësim ndryshimi i Ligjit  për mbrojtjen e konsumatorit ka katër qëllime përmes të cilave synohet harmonizimi me ligjet e BE-së e rekomandimet që vijnë për mbrojtje të konsumatorit.

Venera Agani nga Banka Qendrore e Kosovës shprehu shqetësimin se nuk janë përfshirë si institucion në hartimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Ajo tha e kanë dhënë vetëm një koment lidhur me pjesën e produkteve kreditore.

E nga departamenti për Mbrojtje të Konsumatorit u dha arsyetimi se për shkak se plotësim ndryshimi nuk ka të bëjë me direktivat që kanë të bëjnë me BQK.

Ushtruesi i  detyrës së  drejtorit të mbikëqyrjes së tregut në Autoritetin e Konkurrencës, Shemsi Elezi u shpreh se ky plotësim ndryshim i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit i ka përfshirë disa fusha të reja për aspektet digjitale. 

Plotësim ndryshimi i Ligjit për mbrojtje të konsumatorit vitin e kaluar është miratuar në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në fillim të këtij muaji ka kaluar në parim në Kuvendin e Kosovës. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024