Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2023.
Kreu qeveritar ka insistuar se buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvillimit, mbrojtjes dhe sigurisë. Mirëpo opozitarët e quajtën Kurtin një demagog, i cili, siç thanë ata, për tri vjet nuk ka realizuar asnjë projekt serioz zhvillimor që mund ta mbajnë mend qytetarët.
Kurti duke iu replikuar opozitarëve përmendi si sukses rritjen e bruto-produktit vendor në 10 miliardë euro, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja.
"Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja", tha ai.
"Kurrë më shumë armatim nuk është blerë", tha ai.
Krahas kësaj, Kurti tha se “ka emigrim në vend, por s’ka zmbrapsje të Kosovës, siç po trumbetojnë opozitarët”.
Atij i reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili akuzoi Kurtin se po shtrembëron shifrat si për rritje ekonomike ashtu edhe për rritjen e bruto-produktit vendor.
Ai tha se për rritjen e eksportit s’ka pas asnjë ndikim qeveria, pasi nuk ka krijuar asnjë politikë fiskale.
Kritik ndaj Kurtit u shpreh deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e quajti atë demagog dhe hipokrit.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se projekt-buxheti për vitin 2024 është i dobët dhe pa asnjë projekt madhor.