Programi STEMinists, Kurti: Mundësi e mirë për promovimin e barazisë gjinore
Lajme
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Është mbajtur sot (e hënë) konferenca e parë të programit STEMinists të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me ç’rast u tha se ky program është mundësi e mirë në promovimin e barazisë gjinore.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po punojnë që të mbështesin gratë dhe vajzat në në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Albin Kurti tha se vajzat dhe gratë kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore e që ky përjashtim ka pasur ndikime negative në përparimin e shoqërisë njerëzore. Megjithatë, ka premtuar se si qeveri do të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Kurti premtoi se do të angazhohen që e gjithë shoqëria të ketë mundësi e të drejta e të barabarta për të gjithë, pa dallim gjinie, pasi sipas tij, kjo ka munguar në vitet e kaluara.

“Përkundër barrierave e shpesh edhe kundër gjasave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në këto fusha që historikisht as nuk janë mirëpritur e as nuk janë vlerësuar. Disa zbulime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyre. Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, ato janë ende të nen përfaqësuara, të pa përfaqësuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë, sigurisht se në secilin rast padrejtësisht. Jo vetëm si feminist por tash edhe si STEMinists është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person pavarësisht nga gjinia ka mundësi t’i ndjek ëndrrat”, tha Kurti.

Kurti tha se karriera në fushat STEM ofron mundësi të jashtëzakonshme, sipas tijpërtej përfitimit personal, ndikon në përmirësimin e shoqërisë në mënyra të panumërta, zhvillimin e teknologjive e nxitjen e rritjes ekonomike.

Mes tjerash, Kurti tha se gratë dhe vajzat duhet t’i inkuadrojmë që t’i ndjekin karrierën në këto fusha duke e zvogëluar hendekun gjinor.

Se STEM është një program i mirë për t’iu dhënë zë vajzave dhe grave tha ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.  

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se si qeveri e ministri do të vazhdojnë të punojnë tutje për të avancuar barazinë për të gjitha vajzat e gratë e vendit.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se historia e këtij programi është e mbushur me gra të jashtëzakonshme që kanë thyer barrierat dhe kanë rrënuar stereotipet.

Qerimi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë në promovimin e barazisë gjinore.

STEMinists po mbahet për herë të parë në Kosovë, e cila simbolizon vëmendjen e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e arsimit në përgjithësi.

Politika e mbështetjes së vajzave e grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës është prezantuar për herë të parë nga Qeveria Kurti më 16 gusht 2021.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024