PROFIL: Kush është kryetari i ri i KQZ-së?

PROFIL: Kush është kryetari i ri i KQZ-së?

Para pak çastesh u bë e ditur se Kreshnik Radoniqi është emëruar kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas lirimit nga detyra të kryesueses së deritanishme, Valdete Daka.

Kjo u bë e ditur në një njoftim për media nga Presidenca, në të cilin po ashtu u tha se Kreshniq Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007.

Ai po cilësohet nga Presidenca si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje.

Pozitën e gjyqtarit në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Radoniqi, e pranoi në korrik të vitit 2019.


Para kësaj pozite, ai kishte qenë kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë.

Praktikën profesionale ai e kishte përfunduar në Gjykatën e Qarkut në Pejë nga viti 2006 deri më 2007. Prej vitit 2007 deri në vitin 2008, ai kishte punuar si Zyrtar i Lartë Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa nga muaji shkurt deri në muajin shtator të vitit 2008, punoi si avokat në Pejë.

Gjatë kësaj kohe ai kishte punuar edhe si Këshilltar Juridik në Agjencinë për Financim në Kosovë. Nga muaji shtator 2008 e deri në gusht 2012, ka punuar si Këshilltar Ligjor i gjyqtarëve të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Pejë.

Kryetari Radoniqi është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë në Korrik të vitit 2012, ndërsa nga Janari i vitit 2013 u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë.

Nga muaji nëntor 2015 deri në muajin maj të vitit 2016, ai punoi si gjyqtar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke vazhduar punën në Gjykatën Themelore të Pejës, në po të njëjtin departament.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.