Profesionistët shëndetësorë i japin ultimatum Qeverisë që të procedojnë Ligjin e Pagave

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës(FSShK) ka protestuar të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Profesionistët shëndetësorë nga ekzekutivi po kërkojnë procedimin brenda këtij viti të Ligjit të Pagave dhe implementim nga janari i vitit 2022-ës, në të kundërtën paralajmërojnë edhe bllokim të sistemit shëndetësor.

Profesionistët shëndetësorë që morën pjesë në këtë protestë simbolikisht para Qeverisë së Kosovës kanë lënë mantelet dhe papuçet e tyre.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka ngritur dyshime se Qeveria në mënyrë të fshehtë po punon rreth Ligjit të Pagave pa ftuar sindikatat dhe shoqërinë civile.

“Kërkesa jonë e vetme është Ligji i Pagave, një ligj i cili kishte me sjell barazi sociale me të cilin slogan ka ardhur edhe Qeveria aktuale, por kjo nuk po ndodh. Qeveria në mënyrë të fshehtë punon pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave por edhe të shoqërisë civile. Andaj, ne sot kemi dal t’i themi stop kësaj jo transparence dhe kemi dal t’i lajmërojmë se nëse Ligji i Pagave nuk shkon sivjet kjo protestë do të kthehet në reagime edhe më të ashpëra sindikale”, u shpreh Syla.

Kryesindikalisiti Syla tha se vetëm brenda këtij viti kanë ikur rreth 120 punëtorë shëndetësorë nga Kosova, dhe kjo sipas tij po ndodh për shkak të politik-bërjes së gabuar të qeverive.

Deri në javën e ardhshme FSShK do të presë që të reagojë Qeveria, në të kundërtën Syla tha se nuk garanton se nuk do ketë bllokim të sistemit shëndetësorë.

“Neve ato papuçe që siç po e shihni kanë mbetur të zbrazura e që kanë me mbetur me mijëra, e mijëra sepse truri i Kosovës fal politikave të gabuara që jeni duke i bërë është kah shkon. Prandaj, e keni shansin e fundit. Ne edhe një javë ditë do të presim duke respektuar edhe kampanjën zgjedhore, ndërsa duke filluar nga java e ardhshme nuk garantoj se do fillohet me bllokimin e sistemit shëndetësorë. Andaj, vendosni ju, kjo është në dorën tuaj, ju e keni politik-bërjen, ju i keni mjetet, ne e kemi vetëm trurin dhe duart që ju nuk po na lejoni t’i shfrytëzojmë. Duke i zhveshur këto mantelet në mënyrë simbolike duke treguar se kjo do ndodh në vitet në vijim në këto mantelet dhe papuçe do i veshin në perëndim fëmijët tanë. Lus dhe përkulem para të gjitha instancave që ta shndërroni këtë problem në problem nacional, sepse ikja e një gjenerata të tërë nuk është komoditet që ka populli i Kosovës”, theksoi ai.


Përkrahje për profesionistët shëndetësorë kanë ofruar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim,  Shkencë dhe Kulturë .

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli kërkoi dialog social në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës.

Ai tha se nëse vazhdon ky mos dialog do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Unë do jemi çdo herë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave kur ata kanë nevojë. Në këtë rast kërkoj nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërras sindikatat për dialogun social dhe sa më shpejt ministrat e Qeverisë së Kosovës t’i thërrasin sindikatat që kanë  nevojë për dialogun sociale dhe që sa më shpejt të filloj dialogu social. Ne sot këtu do e përkrahim FSShK-në, ftojë Qeverinë që t’i dërgojë përfaqësuesit e vetë në Këshillin Ekonomiko-Social sepse siç e dimë Këshilli Ekonomiko-Social ka shumë probleme që  duhet patjetër t’i zgjedhin, përndryshe ne si BSPK jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale”, theksoi ai.

Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ofroi mbështetjen  e gjithë mësimdhënësve për mjekët dhe infermierët në Kosovës.

Jashari tha se nëse nuk ka dialog me Qeverinë për Ligjin e Pagave do fillohet me greva edhe në sistemin arsimor në Kosovës.

“Kam  ardhur që t’i them Qeverisë që të dëgjoj këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësorë të cilët koha i kthejë në heronj që po luftojnë dhe kanë luftuar kundër vdekjes. Lus Qeverinë që të bashkohet dhe të flas me ne në mënyrë që ky shesh të mos jetë plotë njerëz në mënyrë që sistemit arsimor mos t’i kthehet ajo greva 3 javore,  ne jemi duke u përgatitur për dialog por nëse dialogu mungon, nëse Ligji nuk punohet bashkë me Sindikata dhe të shkoj dhe të fillohet nga janar së implementuar atëherë sistemi arsimor do jetë i tëri i bllokuar dhe do të kemi greva dhe do kemi humbje orësh dhe për këtë ne nuk jemi fajtor”, theksoi ai.

Punëtorët shëndetësorë edhe gjatë muajit shtator kishin protestuar simbolikisht para Qeverisë së Kosovë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.