Sot në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione.
Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Ky operacion është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project.
Ndryshe, Prokuroria Special e Kosovës (PSRK) së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik.