Procesi zgjedhor në Vushtrri pa incidente

Mbi 26 për qind e qytetarëve të Vushtrrisë tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar për të parin e komunës, ndërkohë që të drejtë vote gjithsej kanë 71 mijë e 684 persona.

Ekipi i KosovaPress-it ka qëndruar në qendrën e votimit 2704B në shkollën “Mustafë Vehnari” për të parë nga afër ecurinë e zgjedhjeve.

Menaxherja e kësaj qendre, Ferdane Llapashtica tha prapa kamerës se në këtë shkollë të drejtë vote kanë rreth 12 mijë votues, teksa tregoi edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor aty.

E pyetur nëse kanë pasur probleme me energjinë elektrike pasi u raportua se disa qendra të votimit kishin mbetur pa rrymë, ajo tha se kanë pasur një problem, i cili siç tha ajo është sanuar brenda gjysmë ore.

“Në shkollën “Mustafë Venhari” kemi 14 vendvotime dhe 11 mijë e 999 votues. Prej momentit të hapjes së qendrës së votimit nuk kemi pasur ndonjë incident që e dëmton procesin zgjedhor”, është shprehur ajo.


Ndërkohë që interesimi i qytetarëve për të votuar dukej i kënaqshëm, të pakët ishin ata që pranonin të dilnin para kamerës.

Qytetarja Fikrije Venhari tha për KosovaPress se nga këto zgjedhje presin punësim më të madh.

“Presim më të mirat… punësimi, punësimi, të rinjtë të punësohen më së shumti”, tha ajo.

Ndërkaq pati edhe nga ata qytetarë që u pengoi prezenca e kamerës në këtë qendër, saqë kërcënuan se do ta thyejnë kamerën në rast se drejtohet edhe një herë nga ta.

Në komunën e Vushtrrisë të drejtë vote kanë 71.684 qytetarë, të cilët do të kenë mundësinë që të votojnë për të parin e komunës së tyre deri në orën 19:00.

Në zgjedhjet në Vushtrri kandidojnë për kryetar Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, Arsim Rexhepi Lëvizja Vetëvendosje, Mensut Ademi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albert Maxhuni Nisma Socialdemokrate, Erdin Sunguri Partia Demokratike Turke dhe Jeton Salihu, kandidat i pavarur.

Lexo edhe

Video