Problemet e shqiptarëve në veri të vendit, përplasen Rexhaj e Simiq

Problemet e shqiptarëve në veri të vendit, përplasen Rexhaj e Simiq

Tema rreth pengesave të banimit për shqiptarët në veri të vendit ka përplasur deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj në reagimin e tij ndaj deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se kjo parti është në Kuvend meqë ata u bënë kërcënime qytetarëve për të marrë vota. Aty, Rexhaj ka përmendur edhe krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Serbët kanë kryer krime, keni vrarë 1 mijë fëmijë, 20 mijë gra keni dhunuar, masakruar, keni kryer gjenocid. Po e përmend një familjar timin gjatë kohës së luftës në Kosovë: e keni lidhur, e keni ther si kafshë, e keni djegur të gjallë, kjo është vrasje makabre. Edhe në shumicën e vendbanimeve, krimet i kanë kryer edhe fqinjët serbë që kanë ikur nga Kosova e që sillen në veri, e ju po thoni që ne i kemi depërtuar. Jo! Ata kanë ikur nga krimet që kanë kryer e herë-do-kur do të japin përgjegjësi. Keni bërë krime në Ballkan dhe çuditem ende se si keni fytyrë,” ka thënë Rexhaj.


Ndërsa Simiq ka thënë se Lista Serbe ka arritur në Kuvendin e Kosovës me votat që i kanë marrë e që sipas tij, edhe pa ulëset e garantuara, ato do të arrinin t’i merrnin votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

“Fatkeqësisht, nga këtu asnjëherë nuk kanë ardhur iniciativa pozitive, por vetëm fjalë të zbrazëta politike që është karakteristik e zymtë edhe e këtij debati. Deri tani si deputetë të Listës Serbe, të cilët shumica vijnë nga veriu, nuk kemi reaguar, para se gjithash nuk kemi dashur që ‘tregimeve të paarsyeshme’ t’iu japim rëndësi. Por, ky debat është sulm ndaj së vërtetës, me qellim që të kthehet vëmendja e qytetarëve nga problemet reale, e që mund të rrezikojë bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve, dhe të gjithë banoreve në veri”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Simiq ka thënë se debati i sotëm në Kuvend, për të diskutuar rreth problemeve të banorëve shqiptarë në veri të vendit, është bërë me qëllim që të ‘flitet keq’.

Lexo edhe

Video

error: