Probleme me procesin e votimit në zgjedhjet studentore në UP, ORCA monitoron procesin

Këtë të premte janë duke u mbajtur zgjedhjet  studentore në Universitetin e Prishtinës ku po garojnë pesë organizata studentore si dhe një koalicion studentor. Votimi është duke u realizuar përmes sistemit online E-votimi e që në këto zgjedhje është duke u përcjellë nga afër nga organizata joqeveritare ORCA.

Florent Muqaj nga komisioni zgjedhor i zgjedhjeve të UP-së ka thënë se është bllokuar sistemi E-votimi pasi që në orën 8:30 të mëngjesit ka pasur sulme kibernetike dhe se këtë rast e kanë dërguar tek institucionet e sigurisë.

“Ne e kemi raportuar rastin. Ajo ende s’ka përfunduar nuk mund ta dimë se prej kujt ka ndodhur kjo në ndërkohë nëse vërejmë diçka do t’iu njoftojmë ato palë janë të padukshme kibernetika është e pa dukshme nuk kam aludimin te askush, as persona fizik as juridik, vetëm që mund të ketë të atillë  që dëshirojnë ta sulmojnë sistemin…. E kanë bllokuar dërgimin e e-mailave, dërgimi i e-mailave është masa e dytë e sigurisë që e ka të instaluar sistemi, masa e dytë nënkupton ‘studenti kyçet në sems, atij i vjen një kod në e-mail kur ai provon të votojë’ dhe ai kod tash nuk po vjen. Kjo masë e dytë është sulmuar”, tha Muqaj.


Dibran Hoxha nga Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) ka thënë se do ta monitorojnë tërë procesin e zgjedhjeve studentore.

“Ne do të jemi këtu në monitorin për gjatë tërë ditës, dy monitoruese nga ORCA janë në senat për me monitoru procesin edhe shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë natyrisht çdo ngecje të sistemit dhe parregullsi janë personat përgjegjës dhe kompetentë. Ne besojmë në profesionalizmin e tyre dhe shpresoj që edhe studentët që kanë ankesa të mund t’i adresojnë ato në mënyrë korrekte”, ka thënë Hoxha.

Numri i studentëve që kanë aplikuar deri në orët e para të paradites ka qenë 1,068 ndërsa gjithsej të drejtë vote kanë 25,629 studentë. Prej tyre, 24,561 sosh ende nuk kanë votuar.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.