Pritja shtetërore për ekipin olimpik, Kurti: Jemi me një ekip të shkëlqyer kampionësh
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua
Ministria e Kulturës ka organizuar sot pritje shtetërore për nder të kampionëve dhe ekipit olimpik të cilët kanë përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024.
Për t’i pritur kampionët në sheshin “Xhorxh Bush”, kishin dalur edhe qytetarë.
Aty u tha se këta sportistë shënuan histori.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot Kosova është me një ekip të shkëlqyer kampionësh.
Sipas tij, në Lojërat Olimpike në Paris secili sportist i yni ka arritur ta thyejë së paku një rekord për vete.
“Sot këtu para jush jemi me një ekip të shkëlqyer kampionësh, me një ekip që na bën krenar anë e mbanë botës kudo që shkon, nga Rio në Tokio e nga Tokio në Paris.Kësaj radhë prijese të suksesit tonë sportiv në Olimpiadën e Parisit ishin dy xhudistët tona Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu...Me shumë punë edhe më me shumë disiplinë dhe gjithnjë me përkushtim ekipi jonë i xhudos arrit që ta mbajë traditën tonë si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri më tani...E në këto Lojërat Olimpike në Paris gati se secili sportist i yni ka arritur ta thyejë së paku një rekord për vete. Distria është sportistja jonë e parë që arrin të ketë dy medalje olimpike, një të artë dhe një të argjendtë...Nora sportistja e parë e Kosovës që shënon pjesëmarrje të trefishtë në Lojëra Olimpike në Rio, në Tokio dhe në Paris”, ka thënë Kurti.
Kurse, trajneri i xhudos Driton Kuka, ka deklaruar se për të tretën herë me radhë nga Lojërat Olimpike po kthehen me medalje.
Ndërsa, xhudistja e cila fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Paris, Distria Krasniqi, tha se është krenare që ka sjellë medalje në Kosovë.
E, xhudistja Laura Fazliu, e cila i solli Kosovës medaljen e bronztë deklaroi se ndihet krenare për medaljen e fituar.
Ekipi olimpik i Kosovës u kthye në vend me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu të bronztën.
Kosova shkoi në Paris me nëntë atletë në sporte të ndryshme si, xhudo, not, atletikë dhe boks.