Pritet interesim i shtuar i studentëve për universitetet publike në Kosovë e Shqipëri

​Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë që heq të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë pritet të ndikojë në rritjen e numrit të të rinjve shqiptarë andej e këtej kufirit që do të zgjedhin universitet e njëri-tjetrit. Studentët dhe njohësit e arsimit e kanë mirëpritur këtë nismë të të dy vendeve. Deri më tani numri i studentëve nga Kosova për të studiuar në universitetet publike në Shqipëri ka qenë i kufizuar, varësisht nga kuotat e secilit fakultet.

Që prej këtij viti akademik studentët do të përfitojnë mundësi dhe kushte të barabarta për të konkurruar, nëpërmjet lehtësimit dhe unifikimit të procedurave të aplikimit dhe regjistrimit në universitetet e vendeve respektive. Të rinjtë shqiptarë tashmë kanë të drejtë të aplikojnë në 19 universitete publike të të dy vendeve.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard ka bëre të ditur për KosovaPress se marrëveshjet mes dy vendeve do të sjellin futet e tyre vetëm nëse zbatohen në përpikëri.

“Ne vlerësojmë që këto marrëveshje janë në përfitim të drejtpërdrejt për vetë qytetarët e Kosovës, përfshirë këto nga nxënësit në shkollimin fillor që përfitojnë drejtpërdrejt nga abetarja e përbashkët deri të shkëmbimet dhe njohja reciproke e diplomave për studentët atje, përfitimi është i drejtpërdrejt, nuk mund të kontestojë askush, mirëpo shpresojmë që këto marrëveshje të jenë shumë konkrete, të kthehen dhe të zbatohen operacionalisht në të kundërtën ato përfundojnë në draft dokumente që nuk shkojnë tutje të përfituesit”, theksojë Qehaja.

Qehaja shtoi se pret që pas heqjes se kufizimeve për regjistrimin e studentëve në universitetet publike mund të ketë numër të shtuar të të rinjve që duan të regjistrohen në fakultetet e të dy vendeve.

“Që të dy vendet si Kosova dhe Shqipëria kanë shumëçka për të shkëmbyer në mësimin universitar, qoftë në formë të praktikave të mira të ligjërimit atje por edhe shumëçka tjetër më përfitues të drejtpërdrejte studentët dhe gjykojmë po ashtu që interesimi tani e tutje mund të jetë më i rritur, kur këto lehtësira nga kjo marrëveshje do të konkretizohen dhe do të sjellin diçka të prekshme për studentët tanë”, vijoi Qehaja.

Këshilli i Studentëve e ka mirëpritur marrëveshjen mes të dy vendeve. Diellza Berisha nga kjo organizatë e vlerëson si të duhur aktin.

Megjithatë, ajo thotë se interesim më të shtuar për Shqipëri mund të ketë për programet e doktoratës.


“Po mendoj që është në të mirën e studentëve pasi që është me lehtë pranimi i tyre ne institucionet e arsimit të lartë e po ashtu perspektivë tjetër e kësaj është që me këtë marrëveshje hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studenteve në institucionet publike të arsimit të lartë në të dy vendet. Meqenëse ka shumë programe studimi në Universitetin e Prishtinës si dhe në kolegje private, interesimi për t’i vazhduar studimet në Shqipëri është i vogël sidomos në shkallën master dhe bachelor. Mirëpo për vazhdimin e studimeve të doktoratës, ka më shumë të interesuar, sepse ne Universitetin e Prishtinës ka më pak hapësirë në këtë pjesë”, ka thënë Berisha.

Deri më tani, pranimi i studentëve kosovarë në universitetet publike në Shqipëri ka qenë në bazë të kuotave të përcaktuara nga vet fakultetet, njëjtë siç ka qenë edhe në disa fakultete në Kosovë.

Mirëpo, ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci, deklaroi se kuotat e deritashme nuk do të hiqen, por që me këtë marrëveshje shkohet përtej tyre.

“Jemi siguruar që të ofrojmë mundësi të barabartë për të gjithë të rinjtë tanë, pa marrë parasysh a jetojnë në Kosovë apo në Shqipëri në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, linçimi i saj do të fillojë që nga ky vit akademik dhe në anën tjetër jemi siguruar dhe kemi kërkuar nga Republika e Shqipërisë që kuotat të cilat veç se ekzistojnë për studentët e Kosovës, të qëndrojnë të tilla, po përtej kuotave të ofrohet mundësi për të gjitha ata që janë të interesuar”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo vet tha se pret interesim të shtuar të studentëve për regjistrim në fakultetet e njëri-tjetrit.

“Se a do të këtë interesim kjo mbetet të shihet, po unë besoj që do të këtë interesim sepse me aq sa kemi parë në të kaluarën ka pasur shumë shpesh sidomos në fakultetet e caktuara më shumë të interesuar se sa janë paraparë me kuota, pres që kjo të jetë edhe një hap përpara në bashkëpunimin dhe në mundësinë që ju ofrojmë të gjithë të rinjve tanë në gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovës dhe Shqipëri”, deklaroi Nagavci.

Universiteti i Gjakovës dhe ai i Prizrenit, për shkak edhe të afërsisë gjeografike, pritet të kenë më shumë aplikime nga studentët nga Shqipëria që jetojnë kryesisht në rajonin e Hasit por edhe të Malësisë së Gjakovë. Të dy këto universitete kanë hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj. Ndërsa gjatë javës së ardhshme pritet që edhe Universiteti i Prishtinës, si më i madhi në vend, por edhe universitetet e tjera të hapin konkursin e njëjtë.

Ndërsa në Shqipëri, tashmë edhe Universiteti i Tiranës, si më i preferuari nga studentët kosovarë, ka publikuar kriteret për pranimin e studentëve për vitin akademik 2022/23. /L.Kerolli/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.