Prishtina nuk i frikësohet Ballkanit

Prishtina nuk i frikësohet Ballkanit

Këtë javë luhet derbi ne Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit.

Skuadra nga kryeqyteti ka vazhduar përgatitjet për këtë ndeshje mjaft të rëndësishme në luftën për titullin e kampionit këtë stinor, shkruan KosovaPress.

Vet trajneri i skuadrës së Prishtinës, Armend Dallku para kësaj ndeshje është shprehur se ka besim të plotë tek skuadra e tij, për të arritur një rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj skuadrës nga Suhareka.

“Edhe Ballkani nuk bënë përjashtim nga kundërshtarët tjerë. Normalisht ne e kemi  analizuar edhe kundërshtarin edhe lojën tonë kështu që nuk është diçka e jashtëzakonshme sepse nuk është ndeshja e fundit që do të vendos gjithçka. Normalisht ne si Prishtinës gjithmonë presim fitore  dhe futemi në këtë ndeshje për fitore…Nuk diskutohet unë e kam shprehur edhe më herët domethënë indinjatën time që në ndeshjen kundër Vushtrrisë, kur po shënon gola, po bën një futboll ofensivë edhe që ka qenë kërkesë edhe e tifozëve, ka qenë kërkesë edhe mund të themi edhe i opinionit kosovar edhe prishtinas, sepse Prishtina nuk po krijon dhe tanimë e kemi të kundërtën dhe nuk jemi të kënaqur me shikueshmërinë”, tha Dallku.

Kapiteni i skuadrës, Armend Thaqi deklaroi se Prishtina nuk i frikësohet Ballkanit dhe asnjë klubi tjetër në Superligë. Ai u shpreh se të shtunën do të hynë në fushë vetëm për të arritur fitore ndaj skuadrës së Ismet Munishit.

“Mendoj qe kemi skuadër për me mposht Ballkanin dhe Ballkani nuk është skuadër e pamposhtur dhe fusha është ideale dhe ajo do të tregojë më mirë se cila skuadër ka formë më të mirë dhe të arrijë ti fitojë tre pikë. Se a do të arrijmë të fitojmë mbetet të shihet në fushë. Nuk është ndeshje vendimtare dhe në qoftë se ne e fitojmë barazohemi me pikë dhe në qoftë se nuk e fitojmë ka ende shumë ndeshje në kampionat dhe shpresoj që të arrijmë qëllimin që e kemi me fitu ndeshjen dhe me barazu me pikë dhe të vazhdojmë tutje këtë formë që e kemi si skuadër”, tha Thaqi.

Mendimin e njëjtë e kishte edhe mesfushori Endrit Krasniqi i cili u shpreh Ballkani është favorit në këtë ndeshje, mirëpo Prishtina do të synojë që të marrë tre pikë për tu barazuar me skuadrën nga Suhareka në renditjen tabelare.


“Prishtina është Prishtinë dhe çdo lojë e luan për fitore. Kështu që Ballkani është favorit sepse është në vend të pare, është lideri dhe kjo nuk mund të mohohet. Ne mbetet që të shtunën ti kryejmë detyrat tona dhe të dalim me tre pikë nga aty dhe të bëhemi ne lider… Shpresoj dhe ju bëjë thirrje të gjithë Plisave dhe të gjithë qytetarëve të Prishtinës që të vin të na përkrahi sepse edhe me përkrahjen e tyre besojmë që edhe skuadra edhe lojtarët fuqizohen më shumë dhe besoj se ajo është e vetmja zgjidhje që ekipa të ketë sukses”, deklaroi Krasniqi.

Sulmuesi më i rrezikshëm i skuadrës së Armend Dallkut, nigeriani Otto John para kësaj ndeshje u shpreh se Prishtina dëshiron vetëm fitore nga ky takim. Ai shtoi që shpreson të shënoj edhe në këtë ndeshje duke vazhduar formën e lartë në të cilën është duke kaluar që nga transferimi i tij në Prishtinë në muajin janar.

“Balkani është një klub i madh dhe ne jemi ne formë të mirë këtë herë ne luajmë si ekip, kështu që ne duhet t’i respektojmë ata por Prishtina do të përpiqet të shkojë për fitore për të marrë tre pikët dhe kjo është ajo që duam. Po besoj se do të shënoj dhe ne duam të shënojmë, e kam këtë besim. Është në mendjen time po dua të shënoj dhe që të shënoj në ndeshje të mëdha është shumë e rëndësishme për mua, kështu që dua të shënoj dhe besoj se mund të arrijë një gjë të tillë” u shpreh John.

Ballkani është lider i Superligës deri tani me gjithsej pikë të grumbulluara e ndjekur nga Prishtina e cila ka vetëm tre pikë më pak.

Ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave në këtë stinor, e ka fituar skuadra nga Suhareka me rezultat minimal 1:0.

Kujtojmë që ndeshja e dytë mes Prishtinës dhe Ballkanit zhvillohet këtë të shtunë me fillim nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./KosovaPress/

 

Lexo edhe

error: