Prishtina HeatSave ndryshon mënyrën se si qytetarët menaxhojnë shfrytëzimin e energjisë

Qytetarët e Prishtinës kanë pasur sot rastin të informohen mbi procesin e detajuar të instalimit të matësve të mençur dhe funksionet e tyre, si pjesë e  projektit Prishtina HeatSave, i cili synon modernizimin e sistemit të ngrohjes dhe instalimin e pajisjeve të sofistikuara të matjes së ngrohjes në banesat e Prishtinës. Pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme ishte edhe zëvendëspresidentja e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Phillips Mandaville.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Petrit Selimi, me këtë rast ka thënë se në më shumë se 17.500 apartamente pritet të instalohen matësit e radiatorëve që kanë për qëllim shpenzime më të ulëta të energjisë elektrike.

“Këtu në pikën informatike të MFK-së dhe MCC-së, si dhe të Termokosit, po iu shpjegojmë qytetarëve në këto ngjarjet që po i bën qyteti i Prishtinës, se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm sa i përket investimit që po bëhet nga instalimi i matësve të radiatorëve. Ky është kodi ku ata mund të jenë pjesë e Viberit, ku marrin informata të rëndësishme, se në cilat lagje do të bëhet instalimi. Këta muajt e ardhshëm do të jenë shumë intensiv, pikërisht në 17.500 apartamente në Prishtinë do të instalohen matësit dhe mbi 80-90 mijë radiatorë do të fitojnë valvulet e reja për kontrollin e ngrohjes. Qëllimi është që ata që shpenzojnë më pak, të paguajnë më pak. Deri tash ka qenë paushall, tash e tutje do të jetë sipas shpenzimeve”, ka thënë ai.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës para pak ditësh ka nënshkruar “Marrëveshjen e Bashkëfinancimit” me Komunën e Prishtinës për rinovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtërishme në ndërtesat e njohura si ‘Soliterët e Ulpianës’.


Ky aktivitet ishte pjesë e shumë aktiviteteve organizuar nga Komuna e Prishtinës për fundjavë, me rastin e Festivalit të Pranverës, ku delegacioni i MCC-së pati rastin të shijojë një moment nga shfaqjet, muzika, vallëzimi dhe ngjarjet tjera kulturore. 

Ndryshe, një delegacion nga Uashingtoni, në krye me zëvendëspresidenten e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Mandaville ka mbërritur sot në Prishtinë, për një vizitë zyrtare treditore në Kosovë.

Mandaville e filloi vizitën e saj me fokus në modernizimin e sistemit lokal të ngrohjes, investim ky që po bëhet i mundur përmes aktivitetit Prishtina HeatSave të MFK-së dhe MCC-së.

Gjatë vizitës në Kosovë, zëvendëspresidentja Mandaville pritet të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh të organizuara nga MFK dhe MCC, përfshirë Konferenca e Donatorëve Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë dhe Ngjarja Përmbyllëse e Programit Gratë në Energji.

Lexo edhe

Video