Prishtina fillon përgatitjet nën urdhrat e Ismet Munishit

Prishtina fillon përgatitjet nën urdhrat e Ismet Munishit

Klubi i futbollit, Prishtina, ka nisur të martën përgatitjet për sezonin e ri garues 2022/23 nën urdhrat e trajnerit të ri Ismet Munishi.

Faza e parë e përgatitjeve po kryhet në kryeqytet derisa po shfrytëzohet për stërvitje tartani i stadiumit “Fadil Vokrri” si dhe kompleksi i klubit në Bërnicë.

“Skuadra po përgatitet nga dy herë në ditë dhe transferet e reja janë përshtatur shumë mirë me grupin ndërsa për fat të mirë, asnjë futbollist nuk ka shfaqur probleme fizike dhe ndonjë lëndim deri më tash.”, ka bërë të ditur faqja e klubit bardhekaltër, përcjellë KosovaPress.


Munishi me ndihmësit e tij, Debatik Curri, Armend Simnica dhe trajnerin e portierëve, Ahmet Becelica i kanë inkuadruar në ekipin e parë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, të cilët po tregojnë vullnet për punë dhe përkushtim maksimal.

Skuadra e Prishtinës që sivjet e feston 100-vjetorin e themelit si klub, duket krejtësisht ndryshe në ditët e para te përgatitjeve.

Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”, mirëpo kryesia e klubit nuk e ka mbyllur “kuletën” me ç’rast në ditët në vijim do të prezantohen edhe ardhje të reja në ekip.

Lexo edhe

Video