Prezantohet projekti i kardiokirurgjisë pediatrike nga “Italian Medical Group”

Shumë shpejt fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e lindura të zemrës do kenë mundësi që të shërohen edhe në Kosovë pa pasur nevojë për trajtim jashtë vendit, ngase sot është prezantuar projekti për klinikën e kardiokirurgjisë pediatrike nga “Italian Medical Group” përmes të cilit për herë të parë në Kosovë me mjekët më të njohur italianë do të mund të operohen fëmijët që vuajnë nga këto anomali. Por kjo klinikë e cila do të veprojë në kuadër të “Medical Center”, ende është në pritje të licencimit nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtoresha gjenerale e “Italian Medical Group sh.p.k”, Angelica Korica tha se qëllimi i këtij projekti është të ndalohen dërgimi i fëmijëve jashtë Kosovës për shërim, dhe trajtimi i tyre këtu në Kosovë.

“Pra, në këto momente, në Kosovë kemi listën e më shumë se njëqind personave që kanë sëmundje të zemrës, të gjithë ata pacientë duhet të shkojnë në Beograd ose Stamboll për operim. Qëllimi i këtij projekti është të ndalojë dërgimin e pacientëve jashtë Kosovës, dhe për t’u dhënë mundësinë mjekëve të rinj ashtu si Endrit Shala këtu Kosovë. Ky është një projekt shumë kompleks prandaj duhet të themi që falë dr. Besnik Abazi, që është investitori i këtij projekti, i cili punon në Zvicër dhe vendosi të investojë në idenë tonë për kardiokirurgjinë e parë në Kosovë, QKUK nuk e ka këtë repart, dhe akoma pacientët duhet të shkojnë në Itali, Beograd e Stamboll për shërim, ne duam të japim modelin më të mirë të kujdesit shëndetësor të kardiokirurgjisë për pacientët në Kosovë”, tha Korica.

Pronari i kompanisë “Italian Medical Group sh.p.k” , Besnik Abazi tha se qëllimi i gjithë këtij projekti është që fëmijët në Kosovë të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës të shërohen në Kosovë e jo në Beograd dhe Turqi.

Abazi i cili është specialist i psikiatrisë, dhe po ashtu pronar i Poliklinikës psikiatrike “Rufsteinweg GmbH” në Liestal të kantonit Bazeland të Zvicrës, i cili ka investuar në Kosovë  në këtë klinik të kardiokirurgjisë së fëmijëve thotë se do arrijnë që t’i tejkalojnë pengesat administrative dhe do nisin operimet.

Abazi, mjek i specializuar për psikiatri dhe psikoterapi jeton dhe vepron qe 30 vjet në Zvicër ka financuar rreth gjysmë milioni euro për këtë projekt.

“Qëllimi i këtij projekt në Kosovë ishte që të fillojmë me kardiokirurgjinë pediatrike e cila nuk ekziston në Kosovë,  si investitor i vetëm i këtij projekti më është dhënë mundësia  dhe kam pasur kënaqësinë që të ndihmoj këtë projekt që të zhvillohet pasi që ende sot fëmijët tanë detyrohen që të shkojnë në Beograd dhe Stamboll dhe të operohen. Qëllimi i këtij projekti është që fëmijët tanë të operohen këtu nuk kemi qëllim konkurrencën këtu jemi për bashkëpunim me të gjitha institucionet si shtetërore ashtu edhe private  që fëmijët dhe pacientët tanë të ecin përpara…01\07/20 Shpresojmë që së shpejti të startojmë, pengesat administrative që janë duke na u bërë do t’i tejkalojmë dhe së shpejti fëmijët tanë që disa janë edhe në publik do kenë mundësinë që këtu në katin e parë në këtë ndërtesë të operohen. Të gjitha ato që i kemi bërë janë me standarde evropiane, kështu që do jetë një qendër referente për gjithë  Evropën Juglindore për kardiokirurgji pediatrike”, tha Abazi.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Rrjetit të Biznesit të Diasporës Shqiptare, Naim Dedushaj i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përkrahë të gjitha investimet e diasporës që bëhen në Kosovë.


“Kërkoj dhe përshëndes Qeverinë e Kosovës kërkoj që të përkrahen investimet e diasporës së Kosovës dhe t’i përkrahin investimet e diasporës shqiptare në Kosovë dhe gjitha viset shqiptare”, tha ai.

Ndërsa, ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama tha se kontributi i shtetit italian në Kosovë po vazhdon tutje edhe përmes hapjes së kësaj klinike të kardiokirurgjisë pediatrike.

Ajo tha se Italia ka bërë shumë punë humanitare veçanërisht në mbështetje të shëndetit të fëmijëve të Kosovë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Është e mrekullueshme se si është zhvilluar shkenca, dhe për të parë këtë punë të mrekullueshme që po bëjnë mjekët, ne kemi këtu disa nga mjekët që në të kaluarën kanë operuar fëmijë të Kosovës, Italia ka bërë shumë punë humanitare, veçanërisht për fëmijët, por jo vetëm për fëmijët me sëmundje të zemrës, por, edhe ata me leukemi, etj., shumë misione humanitare kanë kontribuar gjatë këtyre viteve kur shteti i Italisë ka ndihmuar Kosovën”, tha ish ambasadorja, Lama.

E gjitha ekipi i mjekëve italian që do të merren me trajtimin e fëmijëve që kanë probleme kardiokirurgjike udhëhiqet nga kardiokirurgu i njohur italian, Giovanni Stellin, të pasur me kolegët e tij, Naida Asmanta, Raffaelo Bonato, Bruno Murzi.

Ky i fundi në prezantimin e tij ndër të tjerash tha se ky projekt i cili pritet të nis shpejt në Kosovë në këtë klinik do bëhet punë e mirë dhe e sigurt e me shumë kujdes të madh.

“Unë mendoj se do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të zgjedhur pacientët në fillim, ne duam që njerëzit të dinë se në këtë qendër të gjitha gjërat bëhen duke pasur shumë siguri, shumë vëmendje, kujdesin më të madh që mund të bëhet në vitin 2021 rreth kardiokirurgjisë. Jam i sigurt se këtu do të bëhet një punë shumë e mirë, mendoj se duhet të dimë se kjo filli ngadalë por sigurt, dhe jam i bindur që kjo do të jetë një qendër shumë e mirë dhe fëmijët dhe familjet kosovare ku do të kenë një trajtim të shkëlqyeshëm”, tha ai.

Në anën tjetër në ceremoninë e prezantimit të projektit nga “Italian Medical Group” u prezantuan edhe tri video-incizime të tre sportistëve të njohur kosovarë, Lirim Kastrati, Dardan Berisha dhe Arnold Gjergjaj që ofruan përkrahje për një projekt të tillë.

Po ashtu, u ndanë edhe mirënjohje për mundësimin e këtij projekti për të gjithë kontributdhënësit duke filluar nga investitorit dhe pronari i “Italian Medical Group”, Besnik Abazi, pastaj ish ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama, kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe mjekëve italian që do kryejnë operacione te fëmijët që kanë sëmundje kardiokirurgjike.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: