Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Presidenti të zgjidhet pas publikimit të plotë të aktgjykimit për zëvendësimin e deputetëve

Presidenti të zgjidhet pas publikimit të plotë të aktgjykimit për zëvendësimin e deputetëve

Mbajtja e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të vendit duhet të bëhet vetëm, atëherë kur të publikohet i plotë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket mënyrës se si është bërë zëvendësimi i deputetëve në legjislaturën e kaluar.

Në fund të javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese ka miratuar ankesën e dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me zëvendësimin e bërë në legjislaturën e kaluar, me të cilin ka marrë vendim se pas sigurimit të kuotës gjinore prej 30 përqind, zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet në bazë të votave të marra dhe jo në bazë të gjinisë.

Megjithatë, edhe në legjislaturën aktuale, në të njëjtën mënyrë është bërë edhe zëvendësimi i deputetëve.

Në mënyrë që të eliminohet mundësia që mandatet e deputetëve të kontestohen, njohës të rrethanave politike thonë se për zgjedhjen e presidentit duhet të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Emir Abrashi nga Demokracia Plus, thotë për KosovaPress, se është shumë e rëndësishme që të pritet nxjerrja e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të mos ketë një situatë kur mandatet e deputetëve të kontestohen siç është rasti i ish-deputetit, Etem Arifi.

“Fillimisht çka do të duhej të ndodhte është që të pritet nxjerrja e aktvendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shikojë nëse ndonjëri nga kandidatët të cilët tashmë veç janë zëvendësuar mirëpo nuk e kanë bërë betimin, nuk i përmbushë kriteret për të qenë deputet në pajtueshmëri me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në këtë fazë mendoj që nuk është mirë që të shkohet me betimin e deputetëve të ri pa u sqaruar kjo punë nga ana e KQZ-së, tek më pas institucionet e vendit, në këtë rast Kuvendi i Kosovës do të mund të vazhdonte me zgjedhjen e presidentit në mënyrë që të mos kemi një situatë kur mandatet e deputetëve do të ishin të kontestuara dhe të vijmë deri në atë pikë që erdhëm me votën e z.Arifi që e shpalli edhe qeverinë Hoti si jo kushtetuese. Pra, në këtë fazë mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjedhja e presidentit të bëhet pas nxjerrjes së plotë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pas zëvendësimit të kandidatëve për deputet nga ana e KQZ-së”, tha ai.


Ndonëse pritja e publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mund të shkaktojë vonesa, analisti politik Rasim Alija, thotë se është e rëndësishme që të mos ketë pastaj krizë kushtetuese.

“Mund të ketë vonesa, mirëpo ajo çka është e rëndësishme është që vendi të mos hyjë në këtë ciklin e bllokadës institucionale krizës kushtetuese dhe subjektet politike janë të vetëdijshme për këtë, e mbi të gjitha janë të vetëdijshme edhe një herë po e ritheksojë rezultati i 14 shkurtit e ka bazën ka vendosur baza në përcaktimin në masë të madhe të votës dhe të partive opozitare”, tha ai.

Ai nuk pret që për zgjedhjen e presidentit të ketë pengesë nga ana e opozitës, pasi sipas tij, opozita do të dilte humbëse nëse nuk do të votonte Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

“Është kjo pjesa tjetër që ka të bëjë me rezultatin e 14 shkurtit e që i dikton edhe subjektet tjera opozitare, i ka futur para një akti të kryer që është patjetër vota e tyre karshi Vjosa Osmanit për përzgjedhje si presidente. Pastaj do të kishim zgjedhje të reja të parakohshme e kjo në rrethana aktuale do të ishte një farë vetëvrasje politike për subjektet tjera opozitare, sepse trendi i tyre jam i bindur se do të jetë në rënie sepse është kohë shumë e shkurtër prej zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe këtë subjektet tjera opozitare e dinë më së miri”, thotë ai.

Sa i përket zëvendësimit të deputetëve nga ana e KQZ-së, në një përgjigje me shkrim nga ky institucion thonë se KQZ-ja ka bërë rekomandimet e kandidatëve për deputetë duke u mbështetur në nenin 112 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili saktëson se një anëtar i Kuvendit zëvendësohet nga kandidati i ligjshëm në radhë i të njëjtës gjini.

Sa i përket rishqyrtimit të ndonjë zëvendësimi të kandidatëve të bërë javën e kaluar, në përgjigjen e KQZ-së thuhet se do ta bëjnë një gjë të tillë nëse u kërkohet.

“Natyrisht se nëse kërkohet nga KQZ-ja për të rishqyrtuar ndonjë rekomandim për kandidatin e radhës për zëvendësimin e ndonjë deputeti, kjo do të ndodhë. KQZ-ja është në pritje të aktgjykimit të plotë për të parë të gjitha detajet dhe detyrimet që dalin për t’i zbatuar”, tha zëdhëndësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Lexo edhe

Video

error: