Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dekoroi Richard Grenell, ish i dërguar i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, për, siç u tha “kontributin në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti serb i cili i ndau këtë dekoratë zotit Grenell në ditën e shtetësisë së Serbisë tha se zoti Grenell “është një nga njerëzit që jo rrallë është përpjekur të ketë një qasje shumë të drejtpeshuar që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë sa i përket Kosovës. A mendon ai ndryshe nga ajo që mendon administrata amerikane? Jo tërësisht, por ka qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjojë palën serbe”, tha presidenti i Serbisë.
Në vitin 2019 ish presidenti amerikan Donal Trump emëroi zotin Grenell të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, ndërsa shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Berlin.
Ai përqendroi përpjekjet për një normalizim marrëdhëniesh ekonomike ndërmjet palëve dhe në vitin 2020 u përplas me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që drejtonte qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike.
Zoti Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve që u nënshkrua me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit Donald Trump.
Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas marrëveshjes së 4 shtatorit nderoi me urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – presidentin Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon./VOA
Congratulations @RichardGrenell! You laid out the ground for normalization of relations between Belgrade and Pristina.
— Ksenija Pavlovic McAteer (@ksenijapavlovic)
Onward and upward! For the ??and ?? and all the people of the Western Balkans. https://t.co/iEEpk678L9