Presidenti i Dritës reagon pas eliminimit, e konfirmon marrëveshjen me Antwerp

Presidenti i Dritës reagon pas eliminimit, e konfirmon marrëveshjen me Antwerp

Skuadra kosovare, FC Drita, pavarësisht eliminimit mbrëmë nga Liga e Konferencës, tregoi paraqitje dinjitoze në garat evropiane.

Drita u mposht si vendase në ndeshjen e kthimit kundër Antwerp me rezultat 2:0, kurse ndeshja e parë që u zhvillua në Belgjikë përfundoi e barabartë, 0:0, përcjell KosovaPress.

Pas eliminimit, tani ka reaguar edhe presidenti i Dritës, Valon Murseli, i cili tha se paraqitje e mbrëmshme tregoi se futbolli kosovar po i bashkëngjitet ligave më të forta të Ballkanit.


“Mbrëmë ishim akter të një ndeshje evropiane të nivelit dhe përfaqësimit dinjitoz, pavarësisht eliminimit tonë ne treguam që futbolli Kosovës po i bashkëngjitet ligave më të forta të Ballkanit dhe po bëhet dinjitoz për futbollin evropian sepse këtë po e dëshmojmë çdo vit”, tha Murseli.

Po ashtu, presidenti i klubit gjilanas si duket e konfirmoi marrëveshjen që u spekulua mes Dritës dhe Antwerpit për lojtarin Arbnor Muja, duke thënë se këto lloj marrëveshjesh po tregojnë sa kualitativ është futbolli kosovar.

“Se sa dinjitoz dhe kualitativ është futbolli i Kosovës dëshmon edhe marrëveshja e mbrëmshme te njeri prej klubeve më të mira në Belgjikë, ne gjithashtu jemi ne kontakt të vazhdueshëm dhe me disa klube të tjera evropiane për futbollistët e tjerë, një projekt qe pretendojmë ta vazhdojmë me rrugëtimin dhe synimin tonë që një ditë të përfundojmë dhe në fazë të grupeve”, tha Murseli.

Ndërkaq, Murseli kishte edhe një këshillë për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe trajnerin e Kombëtares së Kosovës sa i përket përzgjedhjes së lojtarëve, duke thënë se në Kosove ka kualitet dhe ka futbollist që meritojnë t’u jepet shansi e të ju shtohet shpresa.

Lexo edhe

Video