Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar sërish lidhur me incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.
Në reagim thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.Reagimi i plotë i presidencës:
Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit - rrjedhimisht shtetin - si rrezik potencial për terrorizëm.
Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë.
Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.
Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.
Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.
Albin Kurti në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha po ashtu se ajo që i ka ndodhur presidentes Vjosa Osmani ka qenë përjetim i rëndë. Derisa Mickoskika shprehur keqardhje për rastin e presidentes Osmani.
https://kosovapress.com/kurti-ajo-qe-i-ka-ndodhur-presidentes-osmani-ka-qene-perjetim-i-rende