Prej orës 02:00 radha për miell, më shumë panik se nevojë

Prej orës 02:00 radha për miell, më shumë panik se nevojë

Pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në sektorin e shëndetit publik, qytetarët duket se janë në panik për të siguruar artikuj ushqimorë, përfshirë edhe miellin si një artikull elementar për jetë.

Në mullirin e miellit “Vëllazërimi” në fshatin Sekiraq të Komunës së Podujevës thonë se për shkak të kërkesave të mëdha të konsumatorëve, ata janë të detyruar të punojnë 24 orë.

Qytetarët kanë krijuar kolona të gjata para mullirit në pritje për t’u furnizuar me miell, e krejt kjo sipas tyre për shkak se në markete është vështirë të gjendet ky produkt.

Pronari i mullirit “Vëllazërimi” në Sekiraq, Besim Ejupi për KosovaPress duke folur për radhët e krijuar para mullirit, thotë se më shumë është panik sesa nevojë.

Ejupi theksoi se, kapacitetet prodhuese të këtij mulliri, nuk janë për gjithë këtë fluks, mirëpo ai tha se po mundohen të gjithë t’i furnizojnë me nga 50 kilogramë. 

“Kapacitetet prodhuese janë jo për gjithë këtë popullatë që po kërkon miell, por me mundësitë tona po ia dalim për të gjithë nga 50 kilogramë. Për të gjithë fermerët që kanë deponuar në mullirin tonë edhe për një kohë relativisht të gjatë, nuk e di saktësisht sa muaj, por së paku 3 muaj me kapacitet 24 orë. Sigurisht që është më shumë panik sepse të gjithë janë furnizuar me nga një sasi të miellit, janë duke ardhur për herë të dytë të marrin, kjo vërehet që është më shumë panik se sa nevojë”, u shpreh Ejupi.

Në rend për të blerë miell ishte edhe Ramush Tovërlani i cili thotë për KosovaPress se, qe nga ora 3 e mëngjesit janë detyruar të presin në radhë.

Ai theksoi se, tërë këto pritje para mullirit po i bëjnë për shkak se në markete nuk ka miell.


“Ne kemi ardhur në 03:00 të mëngjesit, e kemi zënë radhën, e kemi marrë numrin, tash jemi tu prit me numër me radhë deri sa të vjen radha. Mu personalisht, se unë nuk kom sjellë grurin më herët m’i dhanë 25 kilogramë. Momentin që nëpër shitore nuk ka miell, ka vend edhe për panik”, tha Toverlani.

Edhe Hasan Mulolli po priste në radhë nga ora 04:00 e mëngjesit. Ai tha se nuk ka vend për panik por që blerja e miellit po i bën të ndjehen më të sigurtë.

Ai nuk pati ndonjë ankesë sa i përket respektimit të radhës.

“Sot nga ora 04:00 e mëngjesit kemi ardhur me prit radhën sepse këtu është radha e cila po respektohet shumë mirë. .Nëpër markete është e vërtet që nuk ka miell, nuk e di arsyen, mirëpo nga fjalët e ministrit që po thotë kemi rezerva të mjaftueshme, nuk ka vend për panikë, por megjithatë ne po marrim masa që të kemi së paku për një muaj apo me tepër”, tha Mulolli.

Një tjetër qytetar që kishte ardhur për të blerë miell ishte edhe Brahim Pllana që për KosovaPress tha se po bëhen shumë keqpërdorime.

Sipas tij, po ka vështirësi edhe për ata që e kanë grurin e tyre nëpër mullinj. Ndryshe nga të tjetër, ai kishe zënë radhën që në ora 02:00.

“Unë kam ardhur në 02:00 të natës të marrë një numër me kartelë miellin që e kam, më dhanë numrin 300, kishin qenë rreth 7-8 vetura këtu, thash qysh 300 unë erdha i 4 apo i pesti, tha jo ja kemi nisë me dhanë prej 23:00 të natës, tash erdha me marrë miellin po thotë hajde prej 11:00 deri 12:00, tash po thotë jo 150 jonë shku prit edhe nja 2 orë deri vjen radha me marrë, me miell tonë po kemi problem me marrë, çka u bë kështu nuk e di çfarë pështjellimi po shkon, mua po me doket që edhe keqpërdorim po bëhet se nuk është e mundur miellin tënd mos me ta dhanë”, u shpreh Pllana.

Radha nëpër mullinjtë në të gjithë vendin është shtuar ndjeshëm pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë. Por, Qeveria e Kosovës ka apeluar që të mos bëhet panik pasi ka rezerva të mjaftueshme ndërkohë që furrat dhe marketet po vijojnë punën.

Lexo edhe

error: