Pozita kërkon mos-miratimin e raportit vjetor të AAC-së

Pozita ka rekomanduar që të mos miratohet raporti vjetor i Autoritetet të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) për vitin 2020. Kryetarët e komisioneve që kanë shqyrtuar këtë raport kanë thënë se ky raport ka mangësi dhe nuk përmbush kushtet bazë ose obligimet bazë ligjore që dalin nga Ligji për Aviacionin Civil dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësisë. Megjithatë, opozita ka vlerësuar se pushteti duhet të marrë përgjegjësinë për këtë raport.

As për këtë pikë të rendit të ditës nuk ka pasur kuorum, ani pse në sallën plenare të pranishëm kanë qenë 79 deputetë.

“Nuk ka kuorum as për këtë pikë. Vetëm 56 deputetë të kuvendit kanë votuar”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli-Dalipi ka deklaruar se ky raport nuk duhet të miratohet për shkak të mangësive dhe problemeve të brendshme që kanë autoritetet.


“Pas këtyre mbledhjeve komisioni ka konstatuar se këto institucione kanë disa probleme mes vete dhe nuk kanë arritur t’i zgjedhin dhe sipas anëtarëve të bordit shumë prej rekomandimeve të tyre nuk janë përfshirë në raport. Dhe këtë gjë edhe pse e ka mohuar drejtori i AAC-së, ne si deputetë kemi vendosur që të shqyrtojmë raportin në detaje dhe të vendosim që raporti të mos miratohet për shkak të mangësive dhe problemeve të brendshme që kanë brenda autoritetit”,
ka thënë ajo.

Një gjë të tillë ka kërkuar edhe kryetari i komisionit për Buxhet, Armend Muja.


Muja: Të mos miratohet raporti vjetor financiar i AAC-së
(Video)
“Të mos miratohet raporti vjetor financiar i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2020. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka shqyrtuar këtë raport financiar për vitin 2020, dhe i njëjti ka vendosur që nuk i përmbush kushtet bazë ose obligimet bazë ligjore që dalin nga Ligji për Aviacionin Civil dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësisë. Dhe për këtë arsyeje ne i rekomandojmë Kuvendit dhe deputetëve që të mos miratojë këtë raport”,
ka deklaruar ai gjatë seancës plenare.

Në emër të deputetëve të PDK-së, Bekim Haxhiu theksoi se këto probleme janë shkaktuar si shkak i dy bordeve, e që kanë pasuar nga interferimet e nivelit qendror.

Haxhiu: Përgjegjësisë nuk mundeni me i ik
(Video)

“Sido që të vendos pozita e tanishme, e cila edhe në vitin 2020 ka pasur po të njëjtën përgjegjësi, munden edhe me votuar ose jo një raport të tillë. Është në fushën e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre. Me mos votimin e raportit nuk mund t’i ikin përgjegjësive asnjëri nga ministrat që kanë udhëhequr me këtë dikaster kaq të rëndësishëm të qeverisë sa i përket detyrimeve financiare dhe përgjegjësive që i kanë pasur me këtë dikaster. Si PDK në këtë konflikt mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy bordeve përkatëse dhe mos-përmbushjes së detyrimeve, nëse doni votoni, nëse nuk doni mos e votoni, përgjegjësisë nuk mundeni me i ik”, ka theksuar ai.

Në emër të LVV-së, Driton Hyseni tha se në këtë raport thuhet se ky autoritet në vitin 2020 kishte performancë të mirë, por që paraqitet nevoja e rritjes së personelit.

Në këtë autoritet, sipas tij, ka pasur edhe raste të shumta të suspendimeve dhe tendenca për largimin e punës. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video

error: