Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher beson se Arsenali nuk do ta fitojë kurrë Premier Ligën me Aaron Ramsdale në portë, duke e përkrahur portierin e huazuar nga Brentfordi, David Raya.
Raya u transferua te Arsenali pas fillimit të sezonit të Premier Ligës, dhe ai ka luajtur në dy ndeshjet e fundit (fitoren 1:0 kundër Evertonit dhe fitoren 4:0 ndaj PSV mbrëmë në Ligën e Kampionëve), raporton KosovaPress.
Kjo gjë ka ngritur debat se kush do të jetë portieri numër një te Arsenali, me Rayan dhe Ramsdale që do të luftojnë kokë më kokë me njëri-tjetrin për atë pozitë.
Gjatë emisionit mbrëmë para ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe PSV, portieri legjendar, Peter Schmeichel e pyeti Carragher nëse ai beson se Raya është më i mirë se Ramsdale.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit u përgjigj: “100%. Arsenali nuk do ta fitojë kurrë Premier Ligën me Ramsdale në portë, nuk ka shanse. Ramsdale po luan për Arsenalin dhe ai as nuk po mund të luajë në Kombëtaren e Anglisë”, tha Carragher.
Ndërsa Raya është momentalisht në huazim, “Topçinjtë” mund ta bëjnë transferimin e tij permanent vetëm për 35 milionë euro në fund të sezonit.