Policia: Pesë të arrestuar, të lënduar disa ushtarë të KFOR-it në veri
Siguri
Lexohet për: 4 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës njofton se pesë protestues janë arrestuar të hënën në veri, nën dyshimin se kanë lënduar disa zyrtarë të KFOR-it.

Në njoftimin e policisë, thuhet se protestat kanë qenë më të dhunshme në komunën e Zveçanit, ku protestuesit nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtarë për largim dhe kanë rezistuar duke përdorur shok bomba, e armë zjarri.

“Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri. Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduare plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Po ashtu bëhet e ditur se një veturë e policisë është djegur dhe janë dëmtuar edhe disa vetura të tjera.

Policia e Kosovës njofton se po vazhdon angazhimet e saja në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, të cilat po vazhdojnë pranë tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan.

Policia njofton se si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar e plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre.

Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera

Sipas policisë, në Zveqan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

Në njoftimin e policisë thuhet se ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi i ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës.  

“Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave/gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën e policisë thuhet se sirenat dhe alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore.

“Policia e Kosovës është treguar profesionale dhe e vetëpërmbajtur, duke i shmangur provokimet në vazhdimësi, si dhe ka kërkuar nga protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos sulmojnë dhe rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, të lirojnë rrugën dhe mjetet zyrtare për qarkullim, si dhe të mos dëmtojnë mjetet policore e të qytetarëve, me qëllim të mos tensionimit të situatës. Një kërkesë të tillë ndaj protestuesve e kanë bërë në vazhdimësi edhe zyrtarët e KFOR-it që kanë qenë prezent, por situata ka vazhduar të jetë e njëjtë”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur po ashtu nga policia, se në vazhdimësi kanë qenë të koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën.

Policia  e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë.

Protesta është ende duke vazhduar, situata vazhdon të jetë e tensionuar sidomos në Zveqan, pasi  aty dhe në komuna tjera po qarkullojnë persona/grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar.

Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.        

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024