Policia për rastin e 48-vjeçares: Viktima s’kishte shenja dhune dhe nuk e pranoi urdhrin mbrojtës

Policia për rastin e 48-vjeçares: Viktima s’kishte shenja dhune dhe nuk e pranoi urdhrin mbrojtës

Policia ka deklaruar se janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme, bazuar në procedurat e parapara ligjore për vrasjen e 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt. Në një komunikatë për media, Policia thotë se të ndjerës i ishte ofruar mundësia që t’i sigurohet urdhri mbrojtës dhe të qëndrojë në strehimore, porse e njëjta nuk kishte pranuar.

Sipas Policisë, Lirije Qerimaj nuk kishte pranuar të largohej nga shtëpia pasi kështu i kishte kërkuar djali i saj.

Në komunikatë thuhet se Policia ishte informuar më 1 janar të këtij viti, kur edhe ishte raportuar për dhunë në familje.

Aty theksohet se edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skenderaj.


Më pas, me rastin është marrë hetuesi primar i dhunës në familje në kuadër të stacionit, i cili kishte ftuar përfaqësuesit e Qendrës për Pune Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion di dhe Mbrojtësin e Viktimave, e cila kishte kërkuar që lënda të dërgohet në formë elektronike tek e njëjta.

“Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhri mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur t’i dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndrojë në familje e jo të dërgohet në strehimore”, thuhet në komunikatë.

Në vijim janë të gjithë hapat që në komunikatën për media thuhet të jenë ndërmarrë nga Policia e Kosovës:

  • Kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Pune Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së;
  • Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila kishte kërkuar që lënda të dërgohet në formë elektronike tek e njëjta, pasi e njëjta ka sqaruar se mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista, përjashtuar në disa raste të caktuara, por lëndën hetuesit ua përcjellin në formë elektronike, përveç nëse prokurori udhëzon ndryshe;
  • Po ashtu hetuesja e dhunës ne familje kishte inkurajuar ankuesen/viktimën që të shkojnë për kontrolle mjekësore por e njëjta nuk kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike; 
  • Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhrin mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur ti dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndroj në familje e jo të dërgohet në strehimore.
  • Sipas procedurave të parapara ligjore është kontaktuar prokurori kujdestar, ku sipas udhëzimeve të prokurores kujdestare ishte vendosur që rasti të kualifikohet “Dhunë ne Familje” dhe të procedohet në procedurë të rregullt.
  • Përveç deklaratës se viktimës, në cilësi të të dyshuarit është intervistuar bashkëshorti i viktimës si dhe djali i tyre në cilësi të dëshmitarit;
  • Vlen të potencohet se viktima është pajisur me pakon informuese të viktimës.

“Policia e Kosovës me zyrtarët kompetent, në rastin në fjalë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas procedurave të parapara ligjore dhe rekomandimeve të autoriteteve kompetente. Ndërsa me datë 05.01.2022 ka ndodhur rasti i cilësuar ‘Vrasje e Rëndë’, ku Policia e Kosovës po ashtu ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, përfundon komunikata.

Për këtë rast është paralajmëruar një protestë paqësore nga OJQ “Gratë Intelektuale të Drenicës”.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.