Policia me aktivitete për sigurinë rrugore, apelohet për vendosje të rripit gjatë lëvizjes me veturë

Policia e Kosovës është duke zhvilluar aktivitete në të gjithë vendin me rastin e Javës së Sigurisë Rrugore me qëllim vetëdijesimin qytetarëve për vendosjen e rripit të sigurisë gjatë kohës sa janë duke lëvizur me makinë.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, nënkolonel Jeton Rexhepi, deklaroi se të gjitha njësitë policore kanë rritur aktivitetin e tyre këto ditë, ndërsa foli për rëndësinë që të gjithë personat që janë në automjet të jenë të sigurtë, sidomos fëmijët.

“Ne menjëherë i kemi njoftuar zyrtarët policorë apo të gjithë njësitë policore që të shtojnë aktivitetet e tyre në këto ditë, nga data 11 deri me datën 17 të këtij muaji, me qëllim që të parandalojmë, me qëllim që pjesëmarrësit të vetëdijesohen për rëndësinë qe ka rripi i sigurisë, qoftë për shoferët apo pjesëmarrësit tjerë si pasagjerë. Por është edhe me rendësi për fëmijët apo të vegjlit të cilët duhet të kujdesen qoftë shoferi apo prindërit të jenë të sigurtë në mjet gjatë lëvizjes me automjet”, tha ai.


Nënkolonel Rexhepi u shpreh se nuk duhet të nënvlerësohet roli i rripit në sigurinë e personave që janë në veturë, duke shtuar se përdorimi i tij shmang pasojat në rast aksidenti.

“Rripi i sigurisë ndikon. Edhe në të kaluarën, edhe nga të gjitha statistikat, rezulton që ndikon në ofrimin e sigurisë, po ashtu përdorimi i rripit të sigurisë parandalon lëndimet apo dëmtimet të cilat mund t’i marrin pjesëmarrësit në trafik nga aksidentet, por është shumë me rëndësi sepse shpëton edhe jetë”, tha ai.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës.Java e Sigurisë Rrugore ka nisur të hënën e 11 prillit dhe do të zgjasë deri të dielën e 17 prillit. ./E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video