Policia: Gjendja e sigurisë në veri i është kthyer normalitetit

Policia: Gjendja e sigurisë në veri i është kthyer normalitetit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore.

Policia nëpërmjet një komunikate thotë se referuar zhvillimeve dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, sot në ditën e trembëdhjetë, pengesat/barrikadat e krijuara në të gjitha lokacionet, kanë filluar të largohen nga vet personat të cilët i kanë vendosur ato dhe rrugët në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim.


Sipas Policisë, pas lirimit të rrugëve për qarkullim dhe largimit të pengesave dhe personave të cilët në shenjë proteste kanë qëndruar në ato lokacione, njësitet speciale operative të Policisë së Kosovës kanë filluar lëvizjen e tyre nga pikat e vendosura drejt stacioneve policore.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore. Bazuar në marrëveshjen në fjalë njësitet e KFOR-it sipas mandatit të tyre, që në orët e mëngjesit janë angazhuar dhe vendosur në disa lokacione në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.Vlen të potencohet se sot në orët e pasdites, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, vizituan stafin menaxhues dhe zyrtarët policorë në kampin Belvedere, të cilët ishin në detyrë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Vizita e realizuar ishte e karakterit mbështetës, falënderues dhe përkrahës ndaj të gjithë zyrtarëve policorë, të cilët me angazhimin e tyre dhe sjelljen profesionale, treguan dhe njëherit dëshmuan se Policia e Kosovës është një polici demokratike e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj.Ministri Sveçla  dhe drejtori Mehmeti, duke çmuar lartë punën e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, në zbatim të ligjit dhe vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, kërkuan nga të njëjtit që të vazhdojnë punën dhe detyrat e tyre policore në shërbim të vendit dhe qytetarëve në mënyrë profesionale, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre trembëdhjetë  ditëve, duke mos rënë pre e asnjë provokimi të kryer në forma të ndryshme nga ana e protestuesve”, thuhet në komunikatë, ku theksohet se Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, e në veçanti për kufij të hapur,  mirë të kontrolluar dhe të sigurt.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.