Policia e Kosovës dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde nënshkruan sot pranim-dorëzimin e donacionit me vetura dhe pajisje teknologjike nga shteti gjerman për pjesëtarë të policisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde dhe menaxhmenti i lartë i PK-së.
“Përkrahja nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”, tha ai.
Ndërsa, ambasadori Rohde theksoi se automjetet dhe pajisjet e dhuruara janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.
Po ashtu një kontribut të veçantë nga Ambasada gjermane, policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore, ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të më shumë se 150 zyrtarëve policorë.