Pluhuri vrasës i KEK-ut, banorët përreth kërkojnë zgjidhje

Ndotja e ajrit dhe ambientit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që është duke ndodhur vazhdimisht, veçanërisht edhe në këto ditë me temperatura të larta nga mos funksionimi i filtrave në termocentralin “Kosova A”, është bërë i padurueshëm për qytetarët e Obiliqit.

Madje, nga këto ndotje sipas QKMF-së në këtë komunë, të paktën 30 përqind është më i lartë numri i qytetarëve që vuajnë nga sëmundjet kronike respiratore dhe kancerogjene krahasuar me komunat tjera.

Zyrtarë komunalë në Obiliq duke treguar për gjendjen e rëndë, thonë se vazhdimisht janë duke inspektuar punën në KEK, por një gjë e tillë sipas tyre nuk po ndodh edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë.

Ndërsa, qytetarët ankohen se jeta në Obiliq është bërë e vështirë për shkak të ndotjes së madhe nga ana e KEK-ut.

Milazim Krasniqi, qytetar thekson se jetesa e qytetarëve të Obiliqit është e mjerueshme sa i përket ndotjes së ambientit, ku sipas tij janë shtuar edhe sëmundjet e ndryshme për banorët.

“Jetesa e qytetarëve të Obiliqit është faktikisht e mjerueshme sa i përket ndotjes së ambientit dhe tymi i cili lirohet prej termocentraleve, sepse ky tym deri diku përbën edhe disa masa kancerogjene, por qeveritë edhe ato komunale, si dhe të nivelit qendror, asnjë herë s’kanë qenë të gatshme me iu qasë me seriozitet problematikës e cila mbretëron rreth kësaj komune. Është e pa shmangshme mos me pas telashe kaq të mëdha sidomos njerëzit e moshuar që kanë probleme me bronhitisin, me frymëmarrjet, me mushkri. Por, shpresojmë që në të ardhmen do të bëhet ndonjë zgjidhje, por për momentin nuk ka kujdes të shtuar për qytetarët”, thotë Krasniqi.

Edhe Brahim Kulani qytetar nga Obiliqi thekson se si pasojë e mos vendosjes së filtrave nga KEK-u ka pluhur të madh. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe komuna që të punojnë më shumë për të parandaluar këtë dukuri të shëmtuar.

“Këtu vendi i termocentraleve, ka pluhur. Ambienti është i ndotur, qeveria duhet me punuar më shumë në termocentrale… Me i lëshuar filtrat, që mos me u shfaqur pluhuri i ‘gjallë’, theksoi ai.

Edhe Sulltane Makolli banore në këtë rrethinë thotë se ndotja po shkakton sëmundje të rënda.

“Ndotjen e kemi katastrofë… ndotja shkakton kancer, krejt sëmundjet. Unë nuk jam e sëmurë, por sëmundjen e kemi krejt”, thotë ajo.


Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF) në Obiliq, Haki Jashari thotë për KosovaPress se për shkak të mos funksionimit në mënyrë të duhur të filtrave nga ana e KEK-ut, ka shtim të ndotjes së ambientit që reflekton në mënyrë negative tek shëndeti i popullatës.

Jashari pohon se ka rritje të rasteve të sëmundjeve kronike respiratorë si tek moshat e shtyra po ashtu edhe tek fëmijët.

Jashari thekson se rreth 6 mijë fëmijë, brenda një viti kërkojnë ndihmë si pasojë e ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit.

“Për shkak të mos funksionimit sa duhet të filtrave të cilët janë të vendosur kemi shtim të ndotjes së ambientit e cila reflekton në mënyrë negative tek shëndeti i popullatës sonë. Kemi shtim të rasteve sidomos të sëmundjeve kronike, respiratorë si tek moshat e shtyra po ashtu edhe tek fëmijët. Kemi shtimin e numrit të rasteve të cilët vuajnë si pasojë e kancerit, që kemi një evidencë dhe fatkeqësisht nga viti në vit është duke u rritur numri i tyre. Në nivel të Kosovës kemi diku 30 përqind raste tani më shumë në komunën e Obiliqit se sa në komuna të tjera. Po ashtu edhe me sëmundje respiratorë janë 30 përqind më të theksuara tek fëmijët se sa në komuna të tjera të Kosovës. Që paraqet një impakt shumë negativ, po ashtu edhe tek fëmijët, prej rreth 12 mijë vizitave që bëhen tek fëmijët, më tepër se 50 përqind të rasteve ose më shumë se 6 mijë janë si pasojë e ndotjes së ambientit me komplikime respiratorë si pasojë e ndotjes së ambientit”, thotë ai.

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit në Obiliq, Fitore Hashani thekson për KosovaPress se ndotja nga KEK-u është bërë vërtet e vështirë për banorët e kësaj komune sidomos në këtë kohë vere.

Hashani thotë se në vazhdimësi janë në terren për të inspektuar vendosjen e filtrave nga ana e KEK-ut, por veçoi se inspektimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po neglizhohet sidomos në dy muajt e fundit.

“Unë nuk mundem me thënë që i kam bërë 100 inspektime, sepse ndodhë që brenda ditës i bëjmë 20 të tilla sipas kërkesave dhe nevojave. Këto inspektime janë të vazhdueshme, dhe jo vetëm inspektime, por edhe reagime… Kemi pasur vërejtje ndaj KEK-ut për disa rritje të pluhurit dhe zhurmës sidomos në disa pjesë te Termocentrali Kosova A, po ashtu edhe te Kosova B. Ka reaguar edhe menaxhmenti, arsyetimi i tyre është, se theksimi i pluhurit dhe i zhurmës në këtë sezon është shumë më i dukshëm  se sa në sezone të tjera për shkak të temperaturave… Ndodhë brenda ditës të jenë katër vërejtje, ose katër shkresa. Merren parasysh prej Korporatës Energjetike, por jo e njëjta edhe prej Ministrisë (Infrastrukturës) fatkeqësisht… KEK të paktën po janë me neve në terren dhe po mundohen me sqarua se çka po ndodhë dhe çka është problemi. Por nuk e kemi një mbështetje të tillë prej inspektoratit të Ministrisë. Ka qenë i mirëfilltë por nuk e di pse është kjo ngecje në këta dy muaj”, thotë Hashani.

Në anën tjetër nga kjo Ministri theksuan se emisionet e shkarkuara të pluhurit në  TC Kosova A  nuk ka pasur tejkalime nga vlerat kufitare të emisioneve ( VKE ), ndërsa në TC Kosova B vlerat janë shumë të larta, gjatë kësaj periudhe kohore.

“Emisionet e SO2 dhe NOX, për të dy termocentralet gjatë periudhës kohore Janar-Qershor, 2021, kanë treguar tejkalime mbi vlerat e lejuara. MMPH përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, e monitoron cilësinë e ajrit në Obiliq  në tri lokacione. Në këto stacione bëhet matja e grimcave PM10 dhe PM 2.5, Dyoksidit të Sulfurit, Monoksidit të Karbonit, Dyoksidit të Azotit dhe Ozonit. Sipas të dhënave që posedojmë niveli i ndotjes së ajrit në sezonin dimërorë është me e lartë,  si pasojë e një mori faktorëve duke përfshirë kushtet meteorologjike të sezonës së dimrit, emetimet e shtuara nga transporti qoftë urban apo nder urban, emetimet nga sektori i energjisë(Termocentralet), industritë e ndryshme si dhe nga ekonomit familjare”, thotë një përgjigje me shkrim Valdete Tahiri – Azemi zyrtare për informim në MMPHI.

Ani pse zyrtarë të KEK-ut nuk janë përgjigjur për KosovaPres lidhur me këtë temë problemore, në komunën e Obiliqit po ashtu kanë thënë se për shkak të teknologjisë së vjetruar dhe prodhimit në një prej njësive të TC “Kosova A”, të martën ka ndodhur një avari me pluhur në Obiliq.

Lexo edhe

Video

error: