Plenkoviq: Në dron kishte bombë

Plenkoviq: Në dron kishte bombë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka dhënë një deklaratë pas seancës së Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të HDZ-së.

Në një konferencë për media ai ka bërë të ditur temat e diskutuara brenda partisë që drejton.

“Ne folëm edhe për problemin më serioz, rënien e një droni. Sot kemi mbajtur një takim me të gjitha organet kompetente. Është e saktë, ka qenë eksploziv, ka pasur një lloj bombe në fluturake, do të zbulohet saktësisht se cila”, tha kryeministri.

Ai shtoi se ende mungojnë shumë informacione. Nuk dihet, thotë ai, kush tjetër, pse dhe si e ka dërguar bombën.

“Francezët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar. Po bisedojmë edhe me Shtetet e Bashkuara për të parë se si mund të na ndihmojnë”, tha ai.


Duke qenë se i gjithë procesi i hetimeve po vazhdon, Plenkoviq tha se ekspertët pas disa ditësh do të dalin me detaje, teksa shtoi se “ka pasur një shpërthim kur fluturakja u rrëzua”, porse nuk i takon atij të pyeste se kush po e monitoronte situatën.

“Menjëherë të premten i kam informuar të gjithë në BE dhe NATO. Këtu situata është e thjeshtë. Duke qenë se nuk kishte të vdekur dhe ne nuk i dinim në detaje këto informacione në atë kohë, dhe duke qenë se mozaiku i hetimit është bërë bashkë, të gjithë do të dimë se çfarë ka ndodhur. Nuk e dimë se kush e ka udhëzuar, si ka ardhur, me dashje apo gabim, apo me ndonjë sabotim. Kur t’i zbulojmë të gjitha këto, do të vendosim një mozaik. Të gjithë partnerët janë të njohur me këtë dhe do të informohen më tej”, tha ai.

I pyetur nëse mund ta kishin parë radarët kroatë fluturaken paraprakisht, kryeministri Plenkoviq tha se do të jenë hetimet ato të cilat do të sqarojnë të gjitha.

“Fluturakja fluturoi më gjatë mbi Hungari, ishte shumë e shkurtër në Kroaci. Ata që e bashkojnë të gjithë mozaikun do ta punojnë kur të kenë diçka konkrete dhe pastaj do t’ju informojnë. Ajo që është e besueshme është se nuk ka pasur asnjë njoftim nga dy anëtarë të NATO-s,” shtoi ai, duke iu referuar Rumanisë dhe Hungarisë.

“E kam takuar Orban të enjten dhe të premten. Ai e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Është në dorën e tyre të shohin pse nuk ka pasur njoftim për ne”, tha Plenkoviq.

Lexo edhe

Video