Plani që Kupa e Botës të zhvillohet çdo dy vite, flet presidenti i FIFA-s Infantino

Plani që Kupa e Botës të zhvillohet çdo dy vite, flet presidenti i FIFA-s Infantino

Gianni Infantino beson që FIFA momentalisht e ka shumicën e votave të kombëtareve të ndryshme për planet e saj që Kampionati Botëror të mbahet çdo dy vite.

Presidenti i FIFA-s e dha këtë vendim në samitin e organit qeverisës këtë të hëne, ku analistët e FIFA-s kanë treguar që do të ketë përfitime të mëdha nëse ky vendim miratohet, përcjell KosovaPress.

Shuma që mblidhet nga Kupa e Botës që mbahet çdo katër vite thuhet të jetë afro 4,4 miliardë euro, por me analizat e reja thuhet se nëse kjo garë mbahet çdo dy vite atëherë afro 6,6 miliardë euro do të ketë përfitime në FIFA.

Momentalisht, Kupa e Botës në kategorinë e femrave dhe meshkujve zhvillohet çdo katër vite, por spekulohet se ndryshime drastike mund të ndodhin në të ardhmen.


“Jo vetëm që është e realizueshme nga një aspekt sportiv, por rikthimi ekonomik do të jetë tejet i fortë. Kjo do të thotë që do të ketë më shumë para për të investuar, riinvestuar, në zhvillimin e sportit anë e mbanë botës”, tha Infantino.

“Ky është një projekt tejet i rëndësishëm për të bashkuar ata që kanë dhe ata që nuk kanë. Në fund të ditës, të gjithë do të përfitojnë. Të gjithë do të kenë përgjegjësi të reja dhe më shumë të ardhura”, shtoi më tej presidenti i FIFA-s.

Në fund, Infantino tregoi që nëse FIFA do të merrte vendim për aprovim të këtij ligji të ri, atëherë do të kishte shumicën e votave .

“Nëse do më duhej që të votoj nesër, besoj që shumica do të votonte në favor që Kupa e Botës të zhvillohet çdo dy vite”, tha Infantino.

Konfederatat e fuqishme si ajo e Evropës dhe ajo e Amerikës së Jugut, respektivisht UEFA dhe CONMEBOL kanë refuzuar këtë ta përkrahin këtë plan të FIFA-s, por përkrahje kanë treguar kombëtare nga Azia, Afrika dhe regjioni i CONCACAF që mbulon Amerikën Veriore dhe Qendrore, së bashku me Karaibet.

Lexo edhe

Video