Plani i PDK-së për Rimëkëmbje ekonomike: Fond mbi 1 miliard euro për ekonomi

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me nënkryetarin e PDK-së dhe kandidatin për deputet, Bedri Hamza kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbje ekonomike në garën zgjedhore të 14 shkurtit.

Hoxhaj ka thënë se ekonomia është shtylla e parë e programit të PDK-së për qeverisje dhe programi i Rimëkëmbjes, i cili vjen në periudhën kur bota është goditur nga pandemia me koronavirus nuk është listë e dëshirave, por program i zotimeve që vijnë si rezultat i punës së përgjegjshme, të matshme dhe koordinuar të ekspertëve të fushës, përfaqësuesve të qytetarëve nga shoqatat e bizneseve, tregtisë dhe të punëtorëve.

“Plani ynë i ka dy pjesë. E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza, dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar. Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur ekonominë tonë, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm por është edhe projekt afatgjatë. Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë,  lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë. Kjo është çka programi ynë synon. Kështu arrihet Rimëkëmbja,” ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, Hamza duke prezantuar pikat konkrete të plan-programit për Rimëkëmbje ekonomike ka theksuar se nën qeverisjen e PDK-së vendi do të ketë rritje ekonomike 5 deri 7 për qind, ku përmes masave konkrete do të mbështeten sektori privat, përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët, si dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik.

Ndër tjerash me këtë plan parashihet fond mbi 1 miliard euro për ekonominë në krizë, ngritje të pagës minimale deri në 300 euro dhe rritje pensionesh deri në 40 për qind.

“Në Programin tonë të Rimëkëmbjes dhe  zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik kemi masa konkrete për ta mbështetur: sektorin Privat, përkujdesjen ndaj shtresës sociale dhe pensionisteve dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik. Sektorin privat do ta mbështesim me këto masa: Mbi 1 miliard euro për rimëkëmbje. Do të ketë likuiditet shtesë për sipërmarrjen, do të themelohet fondi për të ndihmuar ndërmarrjet tona në shumë mbi 500 milionë euro, në formë të mbështetjes financiare për biznese, të cilat kanë vështirësi për të funksionuar si duhet për vitin e parë por do të ketë përkrahje edhe për vitet tjera të qeverisjes tonë. Këto mjete (para pa kthim) do t’u jepen bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara në Ligjin e buxhetit të shtetit”, ka thënë Hamza.

Për më tepër, Hamza ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e PDK-së do të marrë përsipër pagesat e shumës së interesit të huamarrjes që janë marrë në bankat komerciale të vendit nga prodhuesit që eksportojnë mallra jashtë Kosovës, ndërmarrjet që merren me agrobiznes dhe përpunimin e produkteve agrare.

Ai gjithashtu tha se TVSH nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi, si deri më tash, por do të bëhet në brendi të vendit, teksa tatimi në të ardhura të korporatave do të ulet për disa vite të caktuara nga 10 për qind sa ishte deri më tani, në 8%, 7%, 5% dhe 0%, varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve.


Ndërsa, rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive do të shkojë deri në 100 për qind, ku do të futen skemat e garancisë për të forcuar pozicionet e kolateralit në hua. Hamza tha se fondet për këto skema do të sigurohen nga shteti, si dhe do të rregullohet çështja e trajtimit të hipotekave dhe e lartësisë së hipotekës që vendosen të merren për kredi.

Po ashtu, programi për Rimëkëmbje i PDK-së parasheh që për çdo vit do të krijohet një linjë buxhetore në shumën prej 15 milionë euro në buxhetin e shtetit për t’i mbështetur financiarisht nëpërmjet granteve të rinjtë dhe të rejat që kanë ide biznesi në formë të vetëpunësimit.

PDK gjatë qeverisjes së saj të ardhshme një kujdes të veçantë do t’i kushtojë edhe shtresës sociale dhe pensionistëve, ku do të rritet shuma e ndihmës sociale mbi 30 % për të gjithë përfituesit e ndihmës sociale.

“Do të ketë rritje të të gjitha llojeve të pensionit varësisht prej kategorisë së pensionit dhe reforma të thella për trajtimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve pensionistë, duke përfshirë në skemat e kontribut-dhënësve ata qytetarë të cilët kanë pasur pengesa për arsye të mungesës së 15 vjetëve, ku do te jete pension i shkallëzuar sipas përqindjes dhe viteve. Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë: pensionistet e moshës 40 %, pensionistët kontribut-dhënës 30 %,

pensionit veteran të luftës 30%, dhe të gjithë pensionet tjera në shumën e 30%”, ka thënë Hamza.

Ai ka bërë të ditur se me programin e kësaj partie, familjet e dëshmoreve  do të realizojnë pensione varësisht nga numri i anëtarëve dëshmorë që kanë, si dhe do të rregullohet çështja e pensioneve ku pensionistët e moshës do t’iu lejohet që të jenë përfitues edhe të pensioneve tjera ku i plotësojnë kushtet me ligj, ndërsa veteranëve s’do t’iu ndërpritet pensioni i veteranit nëse kanë kontratë pune.

Gjithashtu do të reduktohet norma TVSH-së për gjëra ushqimore për konsum të përditshëm të qytetarëve, e cila do të llogaritet dhe paguhet prej 8 për qind nga 18 % sa është tani për furnizimin e mallrave dhe importin e tyre, do të lirohen nga TVSH-ja barnat të cilat importohen dhe prodhohen në vendin tonë.

Një mbështetje e veçantë do të ketë edhe për punësuarit në sektorin privat dhe publik, ku paga minimale do të rritet nga 170 euro në 300 euro, do të rritet numri i inspektorëve të punës dhe do të angazhohen që për kompanitë që rritin pagat për të punësuarit e tyre mbi 500 euro në muaj, Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës të jetë nga 10 % sa është aktualisht, në 5 për qind.

Hamza ka thënë se gjatë qeverisjes së PDK-së do të rriten pagat ekzistuese në mesatare prej 30 për qind për të gjithë zyrtarët në sektorin publik, përmes rregullimit të ligjit për paga, si dhe do të rregullohen kualifikimet adekuate të pozitës së punës sipas përvojës dhe kualifikimeve profesionale.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: