Federata e Ragbit të Kosovës (FRK) mbajti sot konferencën e saj për media, ku edhe njoftoi për përzgjedhjen e ekipit historik kosovar, që përfaqësojnë Kosovën për herët të parë në këtë sport, në garat ndërkombëtare.
Pjesë e konferencës ishin presidenti i FRK-së, Ndrec Musolli, trajneri kryesorë i Kombëtares dhe njëkohësisht sekretar i FRK-së, Mark Barrett, drejtori i federatës dhe trajneri i dytë, Kevin Martin, trajneri i përgatitjes fizike, Lekë Tërmkolli dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
Me këtë njohje zyrtare, Kosova kishte mundësinë që të aplikojë në Rugby Europe, i cili është trupi organizues i Ragbit Botëror, institucionit më të madh të udhëheqjes së ragbit.
Ndërkaq, në vitin e kaluar, respektivisht në dhjetor të vitit 2021, me shumicën e votave, Kosova u bë pjesë e Ragby Europe dhe si e tillë e morri zyrtarisht të drejtën për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
Me këtë rast historik, për mediat foli Ndrec Musolli, i cili është president i FRK-së dhe njëkohësisht edhe lojtar i grumbulluar për ndeshjet e radhës të Kosovës, ku u shpreh shumë krenarë që do ta përfaqësojë Kosovën në Maltë.
“Jam shumë i lumtur dhe krenarë që jam zgjedhë për ta përfaqësuar Kosovën, është ndjenjë e papërshkrueshme dhe do të jap maksimumin në garat në Maltë”, tha Musolli.
Trajneri kryesorë i Kosovës, Mark Barrett, pavarësisht se është i vëmendshëm që ekipi është i ri dhe pa eksperiencë në garat ndërkombëtare, u shpreh optimistë për rezultate pozitive në ndeshjet që e presin Kosovën, ku tha se lojtarët e grumbulluar janë të përgatitur si fizikisht, ashtu edhe psiçikisht.
Synimi i vetëm i Kosovës do të jetë promovimi në Conference 1 të Rugby Europe, i cili është niveli i tretë i ragbit evropian.
Më poshtë mund të gjeni emrat e lojtarëve të cilët janë grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës në ragbi, ku pjesë e grupit janë edhe dy lojtarë të tjerë të cilët luajnë jashtë vendit, respektivisht në Francë dhe në Zvicër.
Ramadan Elshani, Kushtrim Dragusha, Dardan Gashi, Ardit Koci, Korab Sefaj, Fatmir Ismajli, Toni Rexhepi Fatos Ibrahimi, Mirsad Idrizi, Arben Beqiri dhe kapiteni i ekipit, Mehdi Krasniqi.