Pique i kërkoi presidentit të Federatës spanjolle të shtynte një ndeshje të Spanjës në mënyrë që ai të shikonte tenis

Pique i kërkoi presidentit të Federatës spanjolle të shtynte një ndeshje të Spanjës në mënyrë që ai të shikonte tenis

Gerard Pique i kërkoi presidentit të Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, të zhvendoste një ndeshje të Kombëtares së Spanjës në mënyrë që ai të mund të shikonte një ndeshje tenisi, sipas raportimeve nga mediat spanjolle.

Lajmi vjen disa ditë pasi një audio zbuloi se mbrojtësi i Real Madridit dhe Spanjës, Sergio Ramos, i kërkoi Rubiales ndihmë për të fituar çmimin prestigjioz të Topit të Artë.

Dhe sipas “El Confidencial”, ikona e Barcelonës, Pique, u përpoq të ndryshonte kalendarin e ekipit ndërkombëtar në mënyrë që të mund të merrte pjesë në një ndeshje të Davis Cup me të dashurën dhe yllin e atëhershëm të popit, Shakira, në vitin 2019.

Megjithatë, ndeshja përfundoi duke u luajtur të hënën siç ishte planifikuar. Spanja fitoi 5-0 ndaj Rumanisë, me Pique të pa përfshirë në skuadër, përcjell KosovaPress.

Pique me sa duket tha: “Rubi, ne duhet të flasim për një çështje që është shumë e rëndësishme për mua dhe ju duhet të më bëni këtë nder në një mënyrë ose në një tjetër. Unë do të shpjegoj. E shoh që ka një ndeshje, që është Spanjë-Rumani… të hënën më 18 nëntor.


Të hënën e 18 nëntorit fillon edhe Kupa Davis në Madrid. Shakira do të bëjë inaugurimin, partneri im do të këndojë, do të bëjmë një shfaqje të çmendur, pasdite do të ketë ndeshje.

Sigurisht, nëse po zhvillohet e njëjta ndeshje mes Spanjës dhe Rumanisë në Wanda, ne po e dëmtojmë njëri-tjetrin, po e shkatërrojmë njëri-tjetrin. Nuk e di se cili është kalendari i mëparshëm, nuk e di nëse mund të zhvendoset për të dielën, që do të ishte perfekt.

Nuk e di nëse luani të premten apo të enjten… Le të shohim çështjen e kalendarit, por e di që ende nuk keni filluar të shisni bileta dhe do të ishte e mundur ta zhvendosni atë, prandaj, le ta shikojmë atë”, ishin fjalët e Piques.

Pique, 35 vjeç, është themeluesi i “Kosmos”, i cili organizon garën e Davis Cup, prandaj ishte edhe interesi i tij për t’u përfshirë.

Rubiales supozohet se është përgjigjur: “Ok, do të shikoj nëse është e mundur, nuk e di nëse është e mundur, por nëse është e mundur, ne do ta provojmë”.

“Sportsmail” raportoi të mërkurën se një audio e publikuar tregoi se Ramos po fliste me Rubiales për të marrë ndihmën e tij për të fituar Topin e Artë në vitin 2020, i cili u anulua për shkak të pandemisë Covid, por pritej t’i shkonte Robert Lewandowski.

Lexo edhe

Video