Peter Stano u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

Stano në një konferencë për media, u shpreh se liria e lëvizjes është një nga çështjen kryesore të BE-së dhe se presin që Kosova dhe Serbia ta promovojnë këtë.

“Ne po vëzhgojmë situatën nga afër dhe me këtë rast do të doja të theksoja se liria e lëvizjes është një nga çështjet kryesore të BE-së, dhe ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon. Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë pa asnjë vonesë. Ne gjithashtu i nxisim të dyja palët që të përdorin dialogun e ndërmjetësuar nga BE për t’u marrë me çështje dhe ta përdorin atë si një platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund të kenë midis tyre, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe targat, siç është rasti aktualisht”, tha ai.

Stano tha se aktualisht përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndodhet në Beograd dhe se më herët ka qëndruar edhe në Kosovë.

Stano deklaroi se nga të dy palët presin që të krijojnë një mjedis që është i favorshëm për pajtimin midis dy palëve.


“Ajo që ne presim si BE nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, është të krijojmë një mjedis të favorshëm për pajtimin midis dy palëve, i cili është i favorshëm për stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të njerëzve në të dy anët dhe në rajon. Kjo është vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, të cilën ne po përpiqemi ta lehtësojmë, sepse këto më në fund do të bëjnë të mundur normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, u shpreh ai.

Sa i përket asaj që Kosova është duke bërë të njëjtën gjë që Serbia ka bërë me vite me qytetarët e Kosovës, Stano tha se dialogu është platformë për të zgjedhur të gjitha çështjet e hapura.

“Dialogu është aty si një platformë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura. Pra, edhe nëse keni marrëveshje nga e kaluara, të cilat supozohet se do t’i zbatoni dhe do t’i përmbaheni, nëse keni pyetje, nëse keni dyshime, atëherë mënyra e duhur për ta adresuar këtë, është përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Pra, kjo është ajo në të cilën ne jemi duke u përqendruar. Kjo është ajo që ne përpiqemi, të sjellim që të dyja palët të përfshihen në dialog, për të zgjidhur të gjitha çështjet, në mënyrë që të shmangim situatat siç i kemi tani në veri të Kosovës”, tha Stano.

Sot kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me nisjen e zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“15 shtatori i vitit 2021, ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre “RKS”. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave “KS” sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide”, tha kryeministri Kurti në Kuvend.

Ai i siguroi qytetarët e Republikës së Kosovës se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë, por vetëm zbatohet një marrëveshje për të cilën është pajtuar Serbia me ndihmën e BE-së.

Lexo edhe

Video