Pesë vjet burg për pjesëmarrje në grup terrorist
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Y.B për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit.
I akuzuari Y.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vjet burg, ndërsa koha e kaluar në masën e paraburgimit i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.
I akuzuari Y.B me qëllim të bashkëngjitjes organizatave terroriste në muajin mars të vitit 2013, me dashje dhe me vetëdije të plotë duke qenë në dijeni që veprimi i tillë është i kundërligjshëm, ka marrë pjesë në veprimtarinë terroriste në atë mënyre që e ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të tij në Republikën e Kosovës dhe ka udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës, ‘’Adem Jashari’’ për në Turqi, e pastaj përmes Republikës së Turqisë ka udhëtuar drejtë shtetit të Sirisë dhe ka filluar ushtrimet ushtarake më qëllim që të merr pjesë në luftime në kuadër të organizatës terroriste Abal-al-Nusra ‘’ Daela-Islamia’’, e cila më vonë është njohur si ISIS, organizatë kjo e shpallur, organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku ka qëndruar deri me datën 28 Maj 2022, kur edhe është kthyer nga Siria në Kosovë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.