Pesë të arrestuar për krime lufte dhe tri aktakuza gjatë vitit 2022
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar janë arrestuar pesë persona për krime lufte dhe janë ngritur tri aktakuza. Që nga përfundimi i luftës janë vetëm 70 të dënuar nga gjykatat vendore e ndërkombëtare për krime lufte, ndërkohë që janë vrarë mbi 10 mijë viktima civile. Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, në kuadër të diskutimit  “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?". Aty u theksua se efikasiteti në këtë fushë nuk është i kënaqshëm.

Koordinatori i projektit, Amer Alija ka prezantuar raportin "Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm", ku tha se gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime të luftës.

"Gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime lufte në Kosovë, nën dyshimin që kanë kryer veprën penale të krimit të luftës në Kosovë. Po ashtu, gjatë këtij viti Zyra e Prokurorisë Speciale ka ngritur tri aktakuza në drejtim të veprës penale, krimi i luftës kundër popullatës civile. Përmes titullit ‘Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm’, fondi e përcjell një mesazh te publiku dhe institucionet përgjegjëse për gjendjen aktuale të rasteve të krimeve të luftës. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare i kanë dënuar vetëm 72 persona për krimet e luftës në Kosovë, në anën tjerë janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile”, ka theksuar Alija.

Në këtë raport theksohen edhe vonesat që rrezikojnë efikasitetin në procesin gjyqësor, ku katër raste kanë mbetur pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari u shpreh se pas pranimit të mbi 900 rasteve për krime lufte nga misioni i EULEX-it kanë pranuar numër të madh të dosjeve për personat e zhdukur.

“Shumica e provave materiale në gjenden në Tribunalin e Hagës, atje janë diku 11 milionë të provave të ndryshme. Nuk po them që i referohen të gjitha Kosovës, por është numri i provave, informacioneve të cilat gjenden atje. Në fund të vitit të kaluar, unë me një ekip nga Prokuroria Speciale e kemi vizituar mekanizmin e Tribunalit të Hagës, ku jam takuar me përfaqësuesit e Tribunalit dhe na është premtuar që sipas kërkesave tona, do të na përgjigjen dhe do të na dërgojnë provat të cilat na nevojiten”, ka njoftuar Hajdari.

Veç tjerash, ajo shtoi se me miliona prova të tjera janë të bllokuara në databazën e UNMIK-ut dhe se kanë bërë përpjekje për sigurimin e tyre.

Më tej, ajo shtoi se kanë vendosur prioritete në trajtimin e rasteve të masakrave, dhunimeve seksuale dhe të rasteve të tjera ku ka prova të mjaftueshme të krimeve.

Se gjykimi në mungesë ka qenë domosdoshmëri e tha avokati Artan Qerkini.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Pualine Menthonnex Gacaferri tha se bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës e Serbisë është thelbësor për të arritur progres. 

Nga korriku i vitit 2019 deri në fund të vitit të kaluar, tri herë janë bërë ndryshimet ligjore. Në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare theksohet se sa herë janë bërë këtë ndryshime, kushtet për fillimin e gjykimeve në mungesë janë zbutur.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bfdhk-kater-raste-te-krimeve-te-luftes-pezull-ne-gjykaten-themelore-ne-mitrovice/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024